Rusia nuk e mbajti premtimin e Stambollit, janë bombarduar shumë qytete të Ukrainës

30.03.2022 17:09

Pavarësisht premtimeve të Moskës gjatë bisedimeve në Turqi....

Pavarësisht premtimeve të Moskës gjatë bisedimeve në Turqi, për të zvogëluar operacionet ushtarake, shumë qytete të Ukrainës gjatë ditës janë bombarduar. Në kryeqytetin Kiev ka pasur sulme të vazhdueshme. Shënjestër e sulmeve ditore ka qenë  edhe qyteti verior, Chernihiv.

“Si pasojë e një sulmi në qendër të Chernihiv, 25 persona janë plagosur dhe ndodhen të shtruar në spital. Të gjithë ata janë civilë. Pra, sa herë Rusia bën një premtim, duhet të tregohemi të kujdesshëm.”,- tha kryetari i Bashkisë së Chernihiv, Vladyslav Atroshenko.

“Isha në banesën në katin përdhesë. Kam dëgjuar shpërthime. Të gjithë zbritëm në bord. Pati tre shpërthime të njëpasnjëshme. Granata e dytë goditi shtëpinë e cila është prej druri dhe menjëherë ka marrë flakë. I thirrem shpejt zjarrfikësit sepse aty pranë ka një instalim furnizimi me gaz dhe mund të ndodhë më e keqja.”,- theksoi një banor i Chernihivit.

 “Falë Zotit që nuk ishim aty. Ne ikëm në strehimore përpara se bomba shpërtheu në shtëpinë tonë.”- tha një banor i Chernihivit.

Presidenti rus, Vlladimit Putin, i kërkoi Ukrainës t’i dorëzojë armët, por përgjigjja e Zelenskit ishte e prerë: “Ne nuk do t’i reduktojmë forcat mbrojtjes”, madje i kërkoi Perëndimit sanksione shtesë ndaj Moskës.

“Sinjalet e bisedimeve janë pozitive por ato nuk i ndalojnë granatimet dhe ne i kemi parasysh të gjitha rreziqet që na kanosen sepse kuptohet nuk shohim asnjë argument për të besuar fjalët e përfaqësuesve të Moskës, të cilët vazhdojnë të sulmojnë për të na shfarosur.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Edhe Pentagoni nuk beson në premtimet e Rusisë.

“A janë tërhequr forcat ruse nga Kievi ditëve të fundit? Po, por një numër shumë i vogël. Në fakt ata janë ripozicionuar në rajone të tjera dhe nuk janë tërhequr. Prandaj të gjithë duhet të jemi të gatshëm për ofensiva të ashpra nëpër shumë pjesë të tjera të Ukrainës. Kjo nuk d.m.th. që Kievi nuk është në rrezik.”,- tha zëdhënësi i Pentagonit, Xhon Kirbi.

Ministri rus i punëve të jashtme, Sergei Lavrov, për herë të parë që nga fillimi i luftës vizitoi Kinën duke pretenduar se kjo luftë mund të vendosë një rend të ri në botë. Pekini është kundër sanksioneve ndaj Moskës dhe refuzon të dënojë operacionin luftarak duke insistuar për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me Rusinë.

Nga ana tjetër BE-ja thotë se lufta në Ukrainë mund të qojë në krizë ushqimore.

Lufta në Ukrainë do të ketë ndikim  më të madh global se Lufta e Dytë Botërore sepse do të kërcënojë sigurinë botërore të ushqimit.”,- theksoi drejtori i programit botëror të ushqimit, Dejvid Bizli.

Në Ukrainë ka arritur kryetari i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafaell Grosi, për të diskutuar rreth vendosjes së masave të sigurisë në objektet nukleare për të shmangur pasojat fatale. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)