Maqedoni
Sindikatat në protesta, kërkohet harmonizim i pagave me pagën minimale
30.03.2022 18:31
Konfederata e Sindikatave të Lira, duke shprehur pakënaqësinë për mosharmonizimin e pagave me pagën minimale...

Konfederata e Sindikatave të Lira, duke shprehur pakënaqësinë për mosharmonizimin e pagave me pagën minimale, organizoi protestë paralajmëruese para kuvendit dhe qeverisë. Protestuesit kërkuan nga shtëpia ligjvënëse harmonizimin e pagave me pagën minimale në mënyrë që të mos ketë situata në të cilat punonjësit në pozita të ndryshme dhe me nivele të ndryshme arsimore marrin të njëjtën pagë.
“Për këtë shkak vendosëm ta realizojmë këtë protestë e cila do të jetë si paralajmërim dhe që t’i japim mundësi edhe një herë dialogut social. Deri më tani nuk kemi bisedime më bindëse me qeverinë, sepse kemi dërguar edhe shkresë edhe publikisht kemi kërkuar, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë të përmirësimit të dialogut të ndërsjellë. Kërkesa jonë elementare është atë të cilën në disa raste e kemi përsërit e ajo është rritja e pikëve të vlerësimit në përputhshmëri me Ligjin për Punë Administrative me çka do të zgjidheshin të gjitha problemet. Për hapat e mëtutjeshme do të vendos kryesia e cila është e dëshpëruar.”,- tha një përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave të Lira.
Protestuesit para qeverisë nëpërmjet autoparlantëve i bënë thirrje kryeministrit Kovaçevski që t’i pranojë në bisedime. Nga ana e protestuesve paralajmëruan se nëse qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre do të përballet me protesta masive në të gjithë vendin. Protestën e ka mbështetur edhe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të cilët kanë paralajmëruar se më 11 prill do të shkohet në grevë të përgjithshme në të gjitha çerdhet, shkollat fillore dhe ato të mesme nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre për rritje pagash.
“Nuk guxoj të them se nuk do t’i pranojmë fëmijët në çerdhe, por personeli edukativ dhe arsimor nuk do të kryejë veprimtari edukative dhe kujdestare, që do të thotë se nuk do të ketë kush t’i pranojë fëmijët. Në arsimin fillor dhe të mesëm do të ketë ndërprerje të mësimit.”,- tha kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Nga Qeveria thonë se e mbështesin dialogun social në shoqëri dhe se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë por kjo varet nga mundësitë buxhetore të dëmtuara nga kriza ekonomike, e shkaktuar nga kriza në Ukrainë.
FITIM KRYEZIU
