Ukrainë, nis evakuimi i civilëve nga Mariupoli
Granatimet dhe sulmet me raketa ruse...

Granatimet dhe sulmet me raketa ruse kanë vazhduar në Çernihiv të Ukrainës, pavarësisht deklaratave ruse për reduktimin e aktivitetit ushtarak rreth zonës, tha të enjten inteligjenca ushtarake britanike.
Forcat ruse vazhdojnë të mbajnë pozicione në lindje dhe perëndim të Kievit, pavarësisht tërheqjes së një numri të kufizuar njësish, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
“Luftime të ashpra ka të ngjarë të zhvillohen në periferi të qytetit në ditët në vijim”, thuhet në këtë deklaratë.
Ndërkohë një kolonë autobusësh ukrainas u nis për në qytetin e Mariupolit, për të ofruar furnizime humanitare dhe për të nxjerrë civilët e bllokuar, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Ajo tha se 45 autobusë ishin rrugës për në Mariupol, pasi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmoi se Rusia është pajtuar për të hapur një korridor të sigurt. Kryebashkiaku i qytetit tha këtë javë se deri në 170,000 banorë ishin të bllokuar në Mariupol pa energji dhe furnizime në pakësim.
Ndërkohë Kombet e Bashkuara kanë thënë se katër milionë ukrainas kanë ikur nga vendbanimet e tyre.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë ka shprehur shqetësim se disa sulme të forcave ruse në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte. Poashtu më shumë se gjashtë milionë ukrainas besohet se janë zhvendosur brenda shtetit.
Ndërkohë paralajmërohet se bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë online më 1 prill.
Poashtu Rusia ka pranuar që shtetet evropiane të paguajnë gazin rus me euro dhe jo me rubla.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë kancelarit gjerman Olaf Scholz se pagesat nga Evropa, muajin e ardhshëm “do të vazhdojnë të kryhen në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Bankën Gazprom, e cila nuk është e prekur nga sanksionet”.
