Aliti: Mbi 132 mijë të punësuar në sektorin publik, 73% janë maqedonas dhe 20.3% shqiptarë
Sektori publik në Maqedoni ka 132 mijë të punësuar....

Sektori publik në Maqedoni ka 132 mijë të punësuar, prej të cilëve 73,58 % janë maqedonas dhe 20,35 % shqiptarë, thuhet në Raportin për të punësuarit publik 2021, të prezantuar nga ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës Publike, Admirim Aliti.
Ulje të numrit të personave të punësuar ka në organet shtetërore, ku në vitin 2020 kishte 15 945 persona të punësuar, ndërsa në vitin 2021 ky numër është 15 241.
“Sipas analizës së të dhënave të pasqyruara në Raportin e vitit 2021 del se numri më i lartë i të punësuarve është në arsim, edhe atë 33 %, më tej vijon veprimtaria e shëndetësisë me 19 %, administrata me 13 %, veprimtaria komunale me 9%, veprimtaria e mbrojtjes së fëmijëve dhe politika sociale me 7%. Krahasuar me një vit më parë, numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur për 905” – tha Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Admirim Aliti.
Mosha mesatare e punonjësve të sektorit publik është 46 vjeç, ndërsa këtë vit është rritur numri i personave me kualifikime të larta arsimore.
“Raporti pasqyron se numri më i lartë i të punësuarve në sektorin publik janë të gjinisë femërore, edhe atë me 55.3%, kundrejt gjinisë mashkullore që janë të përfaqësuar me 44.7%.” – u shpreh Aliti.
Në lidhje me pagën minimale ministri Aliti theksoi se deri më 15 prill të gjithë të punësuarit në administratën publike do të marrin pagë minimale prej 18 mijë denarësh dhe se askush nuk do të ketë pagë nën atë të garantuar me ligj.
Sa u përket kërkesave të sindikatave tjera, jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe ka vullnet por në kohën më të mirë dhe për vendin, tha ai. (Leunora Kaliqi, TVM2)
