Strugë-Ohër, turizmi do të pësojë sërish goditje
Turizmi në rajonin e Strugës dhe Ohrit....

Turizmi në rajonin e Strugës dhe Ohrit këto dy vitet e fundit ka pësuar goditje të mëdha, ndërsa pritet që edhe ky sezon veror të jetë i dobët.
Nga shoqata e hotelierëve thonë se numri i turistëve të huaj është 50% më i vogël në krahasim me vitet para pandemisë, ndërsa edhe ky vit do të jetë i vështirë për turizmin në vendin tonë.
“Nuk do të kemi kaq shumë mysafir të huaj vetëm për shkak të situatës në Ukrainë. Tashmë kemi një ulje të numrit të turistëve nga Polonia dhe turistëve nga Holanda, të cilët duhej të fillonin aranzhimet më 1 maj, i anuluan për në qershor. Për mysafirë të tjerë të huaj dhe tur operatorë mund të ketë ndonjë grup nga Turqia, por në përgjithësi do të jetë një vit i vështirë” – tha Kryetari i HOTAM, Kërste Bllazheski.
Sipas HOTAM këtë sezon edhe numri i mysafirëve vendas dhe rajonal do të ulet për shkak të krizës ekonomike, rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
“Kriza ekonomike tregon se çdo ditë po përballemi me rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme dhe thjesht nuk kanë mbetur fonde për pushime. Turistët, veçanërisht nga vendet e Ballkanit, do të drejtohen në pushime pak më të lira, veçanërisht në akomodime private.” – u shpreh Bllazheski.
Hotelierët thonë se për shkak të rritjes së energjisë elektrike dhe produkteve ushqimore, nuk përjashtohet mundësia për rritje të çmimeve edhe në objektet hotelierike, për më së paku 20%. Ndërsa ata kanë dërguar në qeveri një listë të hoteleve të cilët janë të disponueshëm për refugjatët ukrainas.
Së bashku me objektet private të akomodimit, ata ofruan strehim afatgjatë për rreth 10,000 refugjatë ukrainas. (Ilmije Zhaku, TVM2)
