Botë

Lufta në Ukrainë, Rusia vazhdon sulmet pavarësisht premtimeve

31.03.2022 15:39

Rusia vazhdon sulmin e saj ndaj Ukrainës. Luftimet po vazhdojnë rreth kryeqytetit Kiev...

Rusia vazhdon sulmin e saj ndaj Ukrainës. Luftimet po vazhdojnë rreth kryeqytetit Kiev dhe qyteteve të tjera veriore, pavarësisht premtimit të Rusisë për t'u tërhequr nga këto zona. Edhe në jug, forcat ruse kanë avancuar më tej në qytetin e rrënuar të Mariupolit, ndërsa në Mykolaiv, 12 persona u vranë nga një sulm rus dhe shumë të plagosur.
 
"Unë eca në rrugën që udhëhiqte nëna ime, një ushtar më ndaloi dhe unë ngrita duart në shenjë dorëzimi, por ushtari qëlloi me armë zjarri, duke më goditur në këmbët, gjithandej nga beli e poshtë, gjithçka më është dëmtuar dhe organet në pjesën e fund-barkut.”,- tha Natalia Mykolaivna.
 
"Djemtë e mi ishin në bodrum, 19 vjeçari me viziton, por për sa i përket 5 vjeçarit nuk mendoj se ai duhet ta shohë nënën e tij kështu, me mungojnë shumë. Dua shumë ta përqafoj dhe puth djalin tim të vogël.”,- theksoi Natasha Blodirka.
 
Maripuoli është kthyer në gërmadha nga bombardimet ruse dhe llogaritet si qyteti më i shkatërruar i Ukrainës. Të mbijetuarit nga zjarri vdesin nga uria.
 
“Ushqimi dhe uji po mbarojnë. Ne duam t'i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të flasë me zë të lartë. Ne duam që ata të bashkohen vetëm për një qëllim. Unë po u lutem atyre që të shpëtojnë njerëzit këtu sepse po vdesin edhe nga uria.”,- u shpreh  kryebashkiaki i Mariupolit, Vadym Boichenko.
 
Përpjekjet për t’i evakuuar civilët nga Mariupoli vazhdojnë. 
 
“Dërguam 45 autobusë drejt Mariupolit, 28 prej tyre duhet të marrin leje për të kaluar në punktet kontrrolluese ruse në Vasiljevka, 17 autobusë kaluan në Zaporizhia, do të bëjmë gjithçka që autobusëve t’u sigurojmë dalje nga Mariupoli dhe t’i evakuojmë njerëzit të cilët nuk kanë arritur të largohen deri tani.”,- tha një përgjegjës për evakuimin e banorëve.  
 
Zelensky njoftoi se Rusia përgatitet për sulme të reja në Donbas.
 
“Nuk i besojmë askujt, nuk i besojmë fjalët e bukura, po përgatitemi për një ofensivë të re ruse në lindje të Ukrainës. Shohim që ka një grumbullim trupash dhe arsyeja është se duan të ndërmarrin sulme të reja në Donbas. Ne jemi për të përgatitur për këtë. Nuk do të heqim dorë nga asgjë, por do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
 
Statusi i Donbasit është një prej çështjeve që frenon gjetjen e një konsensusi mes palëve në konflikt. Negociatat e paqes rinisin sërish në 1 prill, e pohuar kjo nga negociatori ukrainas, David Arakhamia. Edhe këtë radhë, bisedimet do të zhvillohen përmes një lidhjeje video.
 
Arakhamia shpjegoi se Ukraina kishte insistuar për një takim mes liderëve të dy vendeve, por Rusia thotë se duhet punuar ende mbi draftin e marrëveshjes. Sipas OKB-së, që nga fillimi i luftës, 1.150 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë, 135 prej të cilëve janë fëmijë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU