Maqedoni
Biseda telefonike Blinken-Kovaçevski: ShBA përkrah eurointegrimin e vendit
31.03.2022 15:55
Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, përmes një bisede telefonike me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski...

Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, përmes një bisede telefonike me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, ka shprehur përkrahjen e pakontestueshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Pret nga shteti ynë vazhdimin e bashkëpunimit në sferat tjera, sidomos në atë të sigurisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin bashkëpunim të mëtejshëm në një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes, për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon. Gjithashtu theksojmë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për pranimin e shpejt të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.”,– njoftojnë nga shërbimi informativ qeveritar.
Rëndësia e integrimit të rajonit në BE, ka qenë temë kryesore edhe në takimin e eurokomesarit për zgjerim, Oliver Varheji, dhe kryeministrit bullgar, Petkov. Eurokomisari Varhej ka sqaruar në Twitter se në takim është biseduar në veçanti për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Këtë politikë duhet ta bëjmë realitet së bashku, ka shkruar Varheji.
Takimi i Komisionit maqedono-bullgar, Petkov: Ka progres, mund të ketë rezultat
Ndërkohë, ka vazhduar punimet edhe komisioni i përzier maqedono - bullgar. Në seancë dyditore në Shkup po shqyrtohet periudha mesjetare që mësohet në literaturën e librave të historisë në RMV. Kryeministri bullgar Petkov është optimist dhe pret rezultat konkret nga palët.
“Pres që Komisioni i përbashkët historik të dalë së shpejti me rezultate. Sa jam i informuar, përparimi është i madh dhe ka vullnet nga palët dhe për këtë arsye, mund të arrihet sukses.”,- theksoi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
Edhe bashkë - udhëheqësi i Komisionit nga pala maqedonas, Dragi Gjorgjiev, ka theksuar se ka atmosfera pozitive për të arritur pajtueshmëri për periudhën historike mesjetare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
