Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Sela: Rezultati i dyshimtë me shkelje ligjore

31.03.2022 16:43

Opozita shqiptare ka vijuar kritikat mbi rezultatin e regjistrimit...

Kryetari i ASh-së, Zijadin Sela, është shprehur për disa dilema, sikurse numrin prej 12% të diasporës si dhe shkeljes më flagrante antiligjore me përfshirjen e 132 mijë banorëve në numrin total të personave të regjistruar e të cilët nuk kanë të përcaktuar etninë, përkatësinë fetare e as gjuhën që flasin.
 
“Në qoftë se kanë shkuar me një tip logjike me kryqëzim të dhënash të regjistrojnë 132 banorë, atëherë me po të njëjtin kryqëzim të të dhënave mund të regjistrohen edhe ato 400 mijë banorë të tjerë të cilët nuk janë regjistruar. Pse janë përjashtuar ata? 132 mijë banorët e llogaritur në tryezë nga ana e Entit për Statistikë duhet të largohen dhe mos të jenë pjesë të numrit qoftë të përgjithshëm të popullatës, qoftë të rezidentëve ose jo rezidentëve.”,- tha kryetari i ASh–së, Zijadin Sela.
 
Hoxha: Me ndryshimin e pushtetit të ulet migrimi
 
Lëvizja Besa konsideron që procesi kaloi në fshehtësi të plotë, si Pazar politik midis LSDM-së dhe BDI–së. Kërkojnë zgjedhje për të ndërprerë ikjen e vazhdueshme të qytetareve.
 
“Këtë proces të largimit masiv të shqiptarëve duhet ta ndalojmë urgjentisht, kjo bëhet duke krijuar kushte më të mira, mirëqenie ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, por e gjithë kjo mund të ndodh vetëm e vetëm me largimin nga pushteti të BDI-së, konkretisht të udhëheqësve të saj në qeveri.”,- theksoi zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.
 
Prenxhov: Procesi diskutabil dhe i hapur
 
Edhe Partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë, i vlerësojnë si diskutabile rezultatet. 
 
“Sipas meje regjistrimi ende nuk ka përfunduar nga një arsye e thjeshtë pasi që nuk mund që mbi 130 mijë qytetarë të mbeten të paregjistruar në një shoqëri multietnike nga të cilat fitojmë të drejtat sipas përqindjes së përfaqësimit të komuniteteve.”,- tha Ljupço Prenxhov nga GROM.
 
Ahmeti: Rezultati të mos politizohet
 
Kryetari i BDI–së, Ali Ahmeti, ftoi opozitën që mos keqpërdor rezultatin për interesa politike dhe tensionuar marrëdhëniet ndëretnike. Në të njëjtën vijë edhe nga LSDM.
 
“Kushtet për të gjithë kanë qenë të barabarta, institucionet shtetërore për të gjithë kanë vepruar pa dallim, por ky është rezultati që është pranuar nga institucione relevante.  Do të kisha apeluar tek të gjitha partitë politike të mos e politizojnë dhe të mos e elektrizojnë situatën në mes të etnive.”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
LSDM: Të pranohen rezultatet
 
“Të gjithë aktorët politik dhe shoqëror duhet që të pranojnë rezultatet e regjistrimit, pasi që ato kanë dalë nga një operacion të realizuar në përputhje me standardet e Eurostat. Regjistrimi s’duhet të shkaktojë tensione etnike e as politike.”,- tha Marija Georgievska nga LSDM.
 
Rezultatet janë kontestuar edhe nga partia e turqve, Lidhja Demokratike e Boshnjakëve dhe Partia e Romëve, të cilët kanë mbetur të pakënaqur me pasqyrimin përfundimtar të përbërjes etnike në vend.
 
MERAL ISMAILI