Maqedoni
Regjistrimi 2021 - rënia e popullsisë, Pajaziti: Të Rinjtë ikin shkaku i papunësisë
31.03.2022 16:58
Rënia e numrit të popullsisë për rreth 10% dhe plakja e saj, sipas të gjitha gjasave...

Rënia e numrit të popullsisë për rreth 10% dhe plakja e saj, sipas të gjitha gjasave, ka të bëjë me ikjen e të rinjve për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës për t’u realizuar. Sipas sociologut, Ali Pajaziti, veç kësaj, rënia e numrit të popullsisë ndodh edhe për shkak të zvogëlimit të familjes, rënies së natalitetit dhe zgjedhjen e një përqindje të konsiderueshme të të rinjve që të jetojnë si beqar.
“Shifrat e rënies së popullatës në RMV brenda këtyre 20 viteve, rreth 200 000 minus, besoj që kanë të bëjnë me pakënaqësinë, në veçanti të popullsisë rinore, e cila rreth 40% është e papunësuar dhe rreth 50% nuk sheh ndonjë ardhmëri këtu në Maqedoninë e Veriut, por e shohin ardhmërinë në vendet perëndimore.”,- tha sociolog-antropolog, Ali Pajaziti.
Konformë të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për vitin 2021, mosha mesatare e popullsisë është rreth 44 vjeç. Dominojnë ekonomitë familjare me dy anëtarë, përkatësisht rreth 161 mijë familje janë dyanëtarëshe dhe rreth 103 mijë ekonomi familjare janë një anëtarëshe. Numri i ekonomive familjare me pesë e më shumë anëtarë është shumëfish më i vogël.
Arifi: Institucionet të krijojnë politika zhvillimi
Profesoresha universitare, Besa Arifi, thotë se institucionet duhet të marrin më seriozisht arsyet për zvogëlimin e numrit të popullsisë dhe plakjen e saj.
“Mendoj që institucionet shtetërore duhet të krijojnë politika zhvillimi të cilat do t’u mundësojnë të rinjve që të qëndrojnë këtu dhe të zhvillohen në aspekt individual, familjar dhe shoqëror dhe, nga ana tjetër, të krijohen politika zhvillimore në vendet rurale për të zhvilluar rajonet e ndryshme në Maqedoni, për shkak se shohim një koncentrim të madh të popullatës në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha.”,- theksoi profesoresha universitare, Besa Arifi.
Sipas regjistrimit të fundit, rreth 260 mijë shtetas kanë braktisur vendin. Prej tyre rreth 172 mijë banorë janë shqiptarë.
SHPËTIM NUREDINI
