Maqedoni
Komuna e Çairit bëhet me panele solare, Ganiu: Kursejmë rrymë, ulim ndotjen e ajrit
31.03.2022 18:18
Në komunën e Çairit u lëshuan në përdorim panelet solare fotovoltaike...

Autoritetet thanë se me këto panele do të ulet dukshëm kostot e shpenzimit të energjisë elektrike, kurse do të kontribuojnë në ballafaqimin me ndotjen e ajrit. Në këtë mënyrë përfitimet do të jenë jo vetëm ekonomike por edhe shëndetësore.
“Me to në nivel vjetor pritet të prodhohen mbi 26 mijë kilovat në orë energji elektrike. Kjo mënyrë e furnizimit me energji elektrike nënkupton burim të pastër dhe të qëndrueshëm të energjisë. Do të kemi zero ndikim negativ tek mjedisi jetësor, pa ndotje. Ndërsa, dukshëm do të kemi edhe zvogëlim të emetimit të gazrave në atmosferë.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Nuk ekziston mënyrë më e mirë për të zgjedhur problemin e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit se sa duke parandaluar emetimit e gazrave nga djegia e lëndëve djegëse fosile , për të marrë energji elektrike dhe ndotje. Zgjidhja e problemit me ndotjen e ajrit kërkon përgjigje shumë më disiplinore dhe të ndërlidhur mes vete. Aplikimi i burimeve të rinovueshme të energjisë është qasja më e mirë për zgjidhjen e ndryshimeve klimatike.”,- u shpreh ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
Kreu i komunës së Çairit, Ganiu, informoi se përveç se në objektin e komunës së Çairit, panele solare janë instaluar edhe në tri shkolla fillore dhe një çerdhe.
ERSAN PAJAZITI
