Maqedoni

Propozimet e qeverisë për ambasadorë, reagojnë partitë politike shqiptare

31.03.2022 18:54

Publikimi i informacionit se Qeveria në seancën e mbrëmshme qeveritare ka vendosur që të propozojë...

Publikimi i informacionit se Qeveria në seancën e mbrëmshme qeveritare ka vendosur që të propozojë edhe gjashtë propozime për ambasadorë, si Teuta Arifi për ambasadore në Bashkimin Evropian, Driton Kuqi në Oslo të Norvegjisë, Viktor Dimovski në Francë, Zoran Popov në Uashington, Meo Beleski në Bruksel dhe Jovan Mansieski në Ankara, është pritur me reagime nga partitë opozitare shqiptare.
 
Për ASh dhe Lëvizjen Besa zonja Teuta Arifi duhet të japë përgjegjësi për keq-menaxhimin e komunës së Tetovës për ato 800 kontrata dhe në vend se e njëjta të merret në pyetje nga prokuroria, ajo shpërblehet me pozicion të ambasadorit. Ndërsa për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, Arifi e njeh mirë këtë çështje dhe prandaj është propozuar që të japë kontributin e saj. 
 
“Është vlerësuar që zonja Arifi mund të kontribuojë në këtë pikë për shkak të kontributeve të mëhershme dhe lidhjeve të mëhershme që ka pasur me rajonin, por edhe me Bashkimin Europian. Zonja Arifi ka qenë zëvendëskryeministre për Integrimet Europiane e njeh këtë proces dhe nuk ka nevojë në geotin të vendosen njerëz të cilët humbin betejën”,- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërsa për dy partitë opozitare shqiptare, ky do të jetë edhe një vendim i turpit që vendit po ia servon BDI dhe kjo Qeveri. 
 
“Kur diplomacia bëhet pazarllëk, kur diplomacia bëhet marrëveshje tregtare për t’i ruajtur shumicat në Parlament, unë nuk shoh që mund të ketë zgjidhje tjetër dhe nuk duhet të habitemi më këto emra të cilat janë skandaloze dhe propozohen për ambasador.”,- theksoi lideri i ASh-së, Zijadin Sela.
 
“Nuk pritet asgjë e re nga një strukturë politike e cila për 20 vjet i ka shndërruar institucionet si prona të veta dhe prandaj mendoj se ky do të jetë ashtu siç paraqitet, edhe një dështim i radhës i BDI-së dhe i kësaj Qeverie.”,- u shpreh Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
 
Ndërsa presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili duhet t’i dekretojë të njëjtit, ka pohuar se akoma një propozim i tillë nuk ka arritur tek ai nga ana e Qeverisë dhe pasi të arrijë do të prononcohet. 
 
FITIM KRYEZIU