Sulmohet edhe një xhami e rradhës në Suedi

01.01.2015 12:43

Sulm i ri në një xhami në Suedi ka ndodhur gjatë natës së Vitit të Ri. Një koktej Molotovi është gjuajtur mbi një xhami në Upsala, por nuk ka shkaktuar zjarr më të madh....

Në objektin fetar njëkohësisht janë shkruar fjalë dhe mesazhe me përmbajtje raciste, njoftoi policia.

"Bëhet fjalë për mesazhe raciste të orientuara drejt fesë", tha për televizionin suedez Lisa Sanervik nga shërbimi për informim pranë policisë në Upsala.

Një kalimtar, i cili ka qenë dëshmitar i incidentit, deklaroi se ka vërejtur një person, i cili ka gjuajtur disa gjësende drejt xhamisë.

Ky është sulmi i tretë në ndonjë xhami javën e kaluar në Suedi. Paraprakisht janë shkaktuar zjarre në objektet fetare myslimane në Eskilstuna dhe Eslev.

Përndryshe, gjatë vitit të kaluar në Suedi kanë ndodhur rreth pesëmbëdhjetë sulme ndaj xhamive në qytete të ndryshme, me ç'rats mes tjerash, është vërejtur vizatim i kryqeve, farkim të dërrasave që të bllokohen dyert hyrëse, thyerje dritaresh, shkaktim të zjarreve dhe dëmtim të fasadave.