Botë
Stoltenberg: Rusët nuk po tërhiqen
31.03.2022 20:09
Nuk po shohim tërheqje të trupave ruse në Ukrainë, përkundrazi, presim sulme të tjera deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s...
Nuk po shohim tërheqje të trupave ruse në Ukrainë, përkundrazi, presim sulme të tjera deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një qëndrim që duket në një linjë me skepticizmin e zyrtarëve amerikanë lidhur me pretendimin e Moskës se po largon ushtarët nga zonat rreth Kievit e Chenihivit, në shenje vullneti të mirë për negociatat e paqes.
“Sipas të dhënave tona të inteligjencës, njësitë ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Rusia po përpiqet të rigrupohet, të rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit. Në të njëjtën kohë, kërkon të ruajë presionin ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera. Kështu që ne mund të presim sulme të tjera që do të sjellin edhe më shumë vuajtje. I kemi dëgjuar deklaratat e fundit se Rusia do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe në Ukrainën veriore. Por Rusia ka gënjyer vazhdimisht për qëllimet e saj. Kështu që ne mund ta gjykojmë sot vetëm për veprimet dhe jo për fjalët e saj. Është e qartë se ne kemi parë shumë pak vullnet nga pala ruse për të gjetur një zgjidhje politike” deklaron Stoltenberg.
Ai thotë se ekziston një lidhje e ngushtë mes asaj që ndodh në fushëbetejë dhe zhvillimeve në tryezat e negociatave, e këto sipas tij, na lejojnë t`i sigurohet mbështetje Ukrainës dhe të forcohet pozicionin e saj në raport me bisedimet e paqes.
