Botë

Vuçiç paralajmëron dorëheqje nga kryesimi i partisë së tij

31.03.2022 20:50

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se do të dorëhiqet nga kryesimi i Partisë Përparimtare serbe...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se do të dorëhiqet nga kryesimi i Partisë Përparimtare serbe, pas zgjedhjeve të 3 prillit.
 
Dhjetë vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë, tha Vucic për të përditshmen serbe Politika. Presidenti serb u shpreh se ishte e pabesueshme që SNS-ja nuk kishte shënuar asnjë humbje nën drejtimin e tij 10-vjeçar, dhe se kishte ardhur koha që dikush tjetër ti përkushtohet kësaj.
 
“Unë do të jem aty gjatë zgjedhjes së Qeverisë dhe me siguri do të ndikoj, aq sa është e mundur në përbërjen e saj. Pastaj, do të largohem nga lidershipi i partisë”, deklaroi Vuçiç.
 
Vuçiç mohoi ndërkohë  informacionet se vendi i tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 3 prill.
 
“Unë nuk ia kam thënë kurrë askujt këtë. Kam biseduar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në prani të njëzet personave, por ajo nuk ka dëgjuar diçka të tillë nga unë. Janë njëzet dëshmitarë, dhjetë nga Gjermania dhe dhjetë nga ana jonë. Unë kam thënë saktësisht këtë: Nuk ju ofroj garanci për sanksione, pikë; ndërsa për paqen në Ballkan, sa i përket Serbisë, unë ju ofroj garanci”, shtoi presidenti serb.
 
Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. Vuçiç, tha po ashtu se paqja në Ballkanin Perëndimor nuk është e rrezikuar, por shtoi se duhet pasur kujdes për ta ruajtur atë.