Promovohet platforma INOVET, synohet avancimi i arsimit profesional
Platforma INOVET, ka si qëllim avancimin e arsimit të mesëm profesional...

Ajo do të shërbejë si bazë digjitale për mësimdhënësit në zhvillimin e tyre profesional. Njëkohësisht, përmes E-bibliotekës, mësimdhënësit kanë qasje në materialet për avancim profesional, si dhe do të mund të komunikojnë edhe me njëri-tjetrin dhe t’i ndajnë përvojat dhe instruksionet.
Ngjarja u organizua nga Qendra për Arsim dhe Trajnim Profesional. Projekti “Arsimi për punësim në Maqedoninë e Veriut” është i financuar nga Ambasada e Zvicrës.
“Qendra për Arsim dhe Trajnim Profesional në periudhën e kaluar përveç që punonte në vendosjen e platformës inovet.edu.mk, gjithashtu është përkushtuar edhe në programin për siguri dhe shëndet gjatë punës, në trajnimet digjitale të mësimdhënësve, praktika feriale, të mësuarit përmes punës dhe proceset e orientimit”, u shpreh drejtori i qendrës për arsim dhe trajnim profesional Sherif Miftari.
Tashmë është publikuar edhe konkursi i ri për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme, ku theksi sërish është futur te arsimi i mesëm profesional dhe paralelet duale të cilat formohen në bashkëpunim me sektorin privat.
“Edhe këtë herë politikën e regjistrimit për vitin shkollor 2022-2023 e krijuam përmes dialogut social “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” i cili rezultoi me hapjen e rreth 223 paraleleve duale. Ku evidente është përparimi që kemi arritur. Kjo është dyfishi i vitit të kalur, sepse në vitin shkollor 2021/2022 janë hapur 97 paralele. Ndërsa t’iu rikujtoj se më parë ishin vetëm 11 paralele. Kjo do të thotë se këtë vit kemi numër rekord të kompanive që kanë shprehur interes dhe do të jenë pjesë e realizimit të mësimit praktik për nxënësit”, theksoi zëvendësministri i arsimit dhe shkencës Lulzim Aliu.
Ai u bëri thirrje nxënësve të ardhshëm të shkollave të mesme që të mendojnë mirë për zgjedhjen të udhëhiqen në përputhje me bindjet personale, afinitetet dhe predispozitat, por gjithmonë të kenë parasysh informacionin për atë se cili lloj i arsimit u përshtatet cilat vende ofrohen në tregun e punës.
SEDAT SELIMI
