Maqedoni

Donacion anonim në “SOS Vita”, karroca për personat me nevoja të veçanta

01.04.2022 17:11

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit në Shoqatën SOS Vita dhurohen 45 karroca...

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit në Shoqatën SOS Vita dhurohen 45 karroca dhe shkopinj për personat me nevoja të veçanta nga donatorë të ndryshëm anonim. Karrocat janë të kategorive të ndryshme , ku përfshihen edhe karroca për fëmijë, thekson kryetari i shoqatës, i cili ndjen kënaqësi të veçantë që kanë mundësinë këtë muaj të gëzojnë personat me nevoja të veçanta që sado pak t’ua lehtësojnë jetën atyre. 
 
“Ja uroj këtë muaj të bekuar të Ramazanit, posaqërisht atyre nënave që janë në shtëpi, që s’mun të lëvizin, motrave apo vëllezërve që të jenë sabërli dhe me durim se Allahu i ka veçuar ata, Zoti i ka veçuar dhe mos ta humbin shpresën asnjëherë. Ka karroca të thjeshta për fëmijë me aftësi të kufizuara, ka edhe për raste më të rënda me qëllim që të ju lehtësohet përditshmëria e jetës.”, tha Ertan Shakiri, kryetar i shoqatës “SOS Vita”.
 
Ka nevojë të ju ndihmohet personave me nevoja të veçanta, se me të vërtetë ata kanë nevojë për mbështetje, thekson Bejtullahu i cili përket në këtë kategori të qytetarëve. 
 
“Unë jam ai që jam me këtë rast, unë jetoj me 11 denarë, nuk kam të ardhura tjera. Problemi këtu është se edhe nëse këto shoqata nuk kanë mundësi që të na ndihmojnë atëherë çka bëhet për neve.”, tha Bejtulla Bejtullahu, anëtar i shoqatës “SOS Vita”.
 
SOS Vita ka 180 anëtarë të cilët drejtpërdrejtë përfitojnë nga kjo shoqatë. Shakiri fton të gjithë personat me nevoja të veçanta të bëhen pjesë e saj me qëllim që zëri i tyre të jetë më i fuqishëm. Ai gjithashtu apelon te të shoqëria dhe institucionet të japin kontributin e tyre për mirëqenien e kësaj kategorie të brishtë të shoqërisë. 
 
LEONORA KALIQI