Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, bullgarët, serbët dhe turqit kontestojnë rezultatet
01.04.2022 17:44
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, konteston rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në vendin tonë...

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, konteston rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në vendin tonë, sipas të cilit në RMV si bullgarë janë deklaruar 3,504 qytetarë.
“Si është e mundur që të ketë një dallim të madh mes atyre që janë deklaruar si bullgarë (3,504) dhe numrit prej mbi 100.000 shtetasve maqedonas, të cilët janë të pajisur me shtetësi bullgare. Objekt i analizës serioze është fakti se 7.2% e qytetarëve të shtetit fqinj nuk janë të numëruar aktivisht. Sipas informacioneve, të dhënat për ta janë mbledhur nga një bazë e duhur informative, por pa u theksuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Bullgarët në RMV gjithsesi janë një nga grupet etnike me rritje më të shpejtë në periudhën midis dy regjistrimeve. Nga 1,487 të regjistruar në vitin 2002, tani janë 3,504 bullgarë, një rritje kjo prej gati dy herë e gjysmë.
As pakicat e tjera etnike nuk janë të kënaqura me rezultatet. Rezultatet e regjistrimit, sipas të cilave në RMV jetojnë rreth 26 mijë serbë apo 1.3%, i konteston edhe Partia Demokratike e Serbëve dhe komuniteti serb në vend. As pakica turke nuk i pranon rezultatet pasi pretendon se turq ka më shumë se shifrat zyrtare prej 3.84% apo rreth 75 mijë personave.
Nga Ministria e Jashtme nuk kanë përgjigje deri tani rreth kërkesave dhe reagimeve të ministrive të Turqisë dhe Bullgarisë për numrin e komunitetit turk dhe bullgar në vendi tonë. Komisioni Europian nga ana tjetër konsideron se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është realizuar, sipas të gjitha standardeve europiane.
GAZMEND REXHEPI
