Maqedoni
Termi 20% në kushtetutë, ekspertët: Duhet zëvendësohet me termin shqiptarë
02.04.2022 17:35
Rezultatet e fundit të regjistrimit ngritën çështjen për nevojën e zëvendësimit të normës juridike prej 20% në kushtetutë me termin shqiptarë...

Rezultatet e fundit të regjistrimit ngritën çështjen për nevojën e zëvendësimit të normës juridike prej 20% në kushtetutë me termin shqiptarë. Për ekspertin juridik Fadil Xhelili kjo normë juridike është sui-generis dhe përdorim hibrid e cila nuk korrespondon me të drejtën ndërkombëtare. Si e tillë sipas tij duhet të hiqet që në ndryshimet e para kushtetuese që do të pasojnë dhe të zëvendësohet me termin shqiptarë.
“Kjo është një normë juridike sui-generis dhe pak e njohur për të mos thënë aspak e njohur në të drejtën ndërkombëtare mirëpo për ballancim dhe ruajtjen e qetësisë do të thoja stabilitetit të shtetit është futur në kushtetutën tonë. Në planin afatgjatë me siguri se kjo normë që parasheh 20% duhet të hiqet dhe jam i mendimit që me ndryshimet e para kushtetutare që do të pësojnë do të duhet të hiqet dhe gjuha shqipe krahas gjuhës maqedonase duhet të jetë gjuhë zyrtare dhe të gjitha komunikimet edhe të brendshme por edhe ndërkombëtare të RMV-së.”, tha Fadil Xhelili, ekspert juridik.
Edhe profesori universitarë Mersim Maksuti për TVM-2 vlerson se mënjanimi i normës prej 20% do të duhet detyrimisht të hiqet. Sipas tij ky është një proces i natyrshëm dhe i pandalshëm.
“Në ndryshimet e ardhshme që presin të ndodhin eventuale patjetër krahas ndryshimeve të tjera duhet të jetë edhe kjo mandje në radhë të parë duhet jetë që të hiqet, pra në vend të fjalës 20% patjetër duhet të zëvendësohet me termin nocionin shqiptarë sepse tashmë dihet ky vend është i dy etnikumeve të mëdha i popullit maqedonas dhe atyre shqiptarë dhe ne këtu duhet të hiqet me këtë mekanizëm duhet të mënjanohet kufizimi i të drejtave të shqiptarëve në çdo aspekt.”, tha Mersim Maksuti, ekspert juridik.
Sipas ekspertëve norma prej 20% e inkorporuar në kushtetutë ishte kompromis i kohës i cili tani nuk qëndron as në aspektin moral dhe as llogjik. Ata besojnë se ka vullnet te të gjitha palët për zëvendësimin e kësaj norme me termin shqiptarë.
NAIM RAMADANI
