LSDM, faturat mujore janë ulur për 4.000 denarë

03.04.2022 13:26

LSDM përmes institucioneve dhe Qeverisë....

LSDM përmes institucioneve dhe Qeverisë menaxhon me sukses pasojat e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë në 70 vitet e fundit.

Masat kundër krizës, me vlerë 400 milionë euro, për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe ekonomisë po japin rezultat.

Me zbatimin efikas dhe të shpejtë të vetëm disa masave të Qeverisë, llogaritë e qytetarëve zvogëlohen për 4.000 denarë në muaj.

“Vetëm me një masë, ulje të TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga 5% në 0%, nga prilli deri në qershor, qytetarët kursejnë mesatarisht 1.500 denarë në muaj. Kursimin apo efektin më të madh e ka masa e energjisë elektrike. Nëse Qeveria nuk do ta subvenciononte rrymën, faturat e qytetarëve për rrymë do të rriteshin për rreth 2.150 denarë në muaj. Me uljen e normës së TVSH-së nga 18% në 10% për energjinë, gjegjësisht akcizën, efekt direkt prej 300 denarë kursim në muaj për qytetarët, sipas mesatares së konsumit të derivateve për amvisëri. Këtyre masave mund t'u shtohet rritja e pagës minimale, ndihma për pensionistët prej 1000 denarë në muaj dhe rritja rekord e pensioneve, si dhe përkrahja e qytetarëve në nevojë” – tha Zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

VMRO – DPMNE, “35 përqind e qytetarëve në rrezik nga varfëria”

Por nga VMRO – DPMNE thonë se 35 për qind e qytetarëve janë në rrezik nga varfëria ndërsa rritja e inflacionit është më e madhe se rritja e pagave dhe pensioneve.

“Për një vit e gjysmë, karburantet u rritën për 70%, energjia elektrike për 30%, ngrohja për 15%, buka u rrit me 110%, dhe të gjitha ushqimet e tjera bazë u rritën me 30-50%. Për shkak të politikave dhe masave të “suksesshme” ekonomike të qeverisë, Maqedonia është në fund në rajon sa i përket rritjes së BPV-së. Maqedonia në vitin 2021 ka një rritje prej vetëm 4% të BPV-së, që është shumë më e ulët në krahasim me vendet e rajonit”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Flutura Latifi, TVM2)