Zelenski për planet e Rusisë, ka qëllim okupimin e lindjes, jugut të Ukrainës

03.04.2022 14:09

Forcat ruse sërish po e bombardojnë qytetin e Ukrainës Odesa....

Forcat ruse sërish po e bombardojnë qytetin e Ukrainës Odesa. Banorët thonë se ka pasur eksplozione dhe zjarre. Zëdhënësi i administratës rajonale Sergi Bratçuk, theksoi se është goditur një nga objektet kritike infrastrukturore në Odesa.

Ministria ruse e mbrojtjes bëri të ditur se forcat e tyre kanë shkatërruar rafineri të naftës dhe depo të lëndëve djegëse,  përmes raketave me precizitet të lartë duke sulmuar nga ajri  dhe  nga deti.

“Forcat e armatosura ruse vazhdojnë të realizojnë operacion special ushtarak në Ukrainë. Tre depo të lëndëve djegëse në afërsi të Odesës shfrytëzoheshin nga Ukraina për furnizimin e ushtarëve të tyre në afërsi të qytetit Nikollaev. Mbrojtja ajrore e forcave ruse rrëzoi dy avion pa pilot të Ukrainës” – u shpreh Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Kryetari i Ukrainës Volodimir Zelenski,  tha se forcat ruse kanë për qëllim ta okupojnë pjesën lindore dhe jugore të vendit. U ankua se vendet perendimore nuk i kanë dhënë Kievit mjaftueshëm sisteme kundëraketore.

“Luftëtarët tanë po vazhdojnë ta kthejnë kontrollën në rajonet e Kievit dhe Çernihiv. Çdo ditë e më shumë flamur nacional ukrainas po valojnë në rajonet të cilat ishin të okupuara përkohësisht. Forcat tona  të armatosura nuk i lirojnë okupatorët pa luftë. Po e përforcojmë mbrojtjen tonë në rajonin lindor dhe në Donbas. Jemi të vetëdijshëm se armiku ka rezerva që të rris tensionet në lindje” – deklaroi Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.

Ndërsa banorët e qytetit Ukrainas Buça morën ndihma ushqimore dhe ilaçe.

“Okupatorët rus u larguan nga këtu dhe ata vraponin nga Bjellorusia. Lënë shumë viktima, shtëpi të shkatërruara por edhe shum vende të okupuara” – tha një banor i Ukrainës.

“Të gjithë u paisën me drithëra, kishte ujë nga rezervoari dhe më pas na furnizuan edhe me bukë” – tha një tjetër banor ukrainas.

Takim eventual mes Presidetit rus Putin dhe kolegut të tij ukrainas  Zelenski do të mbahet në Turqi. Data nuk është përcaktuar por nëse vjen deri te takimi i tillë do të mbahet në Ankara ose në Stamboll.

Negociuesi ukrainas Dejvid Rahamia,  deklaroi se Rusia pranon pozicionin e Ukrainës përveç qëndrimit për Krimenë. Negociata e fundit u mbajtën në fund të muajit mars në Turqi. (Flutura Latifi, TVM2)