Zgjedhje në Serbi, votohet për presidencialet, parlamentaret dhe lokalet

03.04.2022 17:36

Serbia votoi sot për presidentin e ri të vendit....

Serbia votoi sot për presidentin e ri të vendit, përbërjen parlamentare dhe kryetarët të komunave. Për mandatin e presidentit garojnë tetë kandidatë në mesin e tyre presidenti aktual Aleksandër Vuçiq dhe tre kandidate femra. 

Për zgjedhjet parlamentare janë propozuar 19 koalicione. Lokalet zhvillohen në kryeqytet si dhe 12  komuna të tjera.

Sipas parashikimeve zgjedhjet presidenciale në Serbi do të përmbyllen që në rrethin e parë, ndërkaq presidenti aktual Aleksandër Vuçiq pritet të rrëmbejë fitoren.

“Sot është ditë e madhe dhe besoj se qytetarët do të votojnë dhe do të zgjedhin të ardhmen e tyre dhe vazhdimin e përparimit ekonomik të Serbisë. Besoj në fitore bindëse.” – u shpreh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sondazhet flasin se nga shtatë kundërkandidatët e Vuçiqit, më lartë me vota renditet Zdravko Ponosh me 19% të votave.

Nga tabori i Vuçiqit presin fitore edhe në dy betejat tjera parlamentare dhe lokale. Ndërkohë shumica e votuesve shqiptarë në Serbi po i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale, duke votuar më shumë vetëm në ato parlamentare.

Kjo është vërejtur edhe në kutitë e vendvotimeve në Bujanovc dhe Tërrnoc.

Sasi e njëjtë e votave të hedhura është parë edhe në qendrat e tjera të votimit në vendbanimet shqiptare.

Për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare votohet gjithashtu dhe në Bosnje Hercegovinë ku ka një përqindje të lartë të shtetasve serbë.

Pjesëmarrja e serbëve në votime ka qenë e konsiderueshme.

Ndërkohë Qeveria Kurti vendosi që zgjedhjet e Serbisë mos të lejohen të mbahen në territorin e Kosovës. Serbët e Kosovës sot votuan në një nga katër qytetet në Serbi: Rashkë, Tutin, Bujanoc dhe Kurshumli. (Meral Ismaili, TVM2)