Rusia mohon vrasjen e civilëve në Bucha të Ukrainës
Rusia mohoi të dielën akuzat e Ukrainës....

Rusia mohoi të dielën akuzat e Ukrainës se kishte vrarë civilë në qytetin ukrainas të Bucha, duke i përshkruar pamjet dhe fotografitë e trupave të vdekur si një "provokim" dhe një "performancë të inskenuar" nga Kievi.
Ukraina ka akuzuar ushtrinë ruse për masakrimin e banorëve të Bucha, një qytet në veriperëndim të kryeqytetit Kiev, një zonë që trupat ukrainase thanë se e kishin rimarrë të shtunën.
“Të gjitha fotot dhe videot e publikuara nga regjimi i Kievit, që dyshohet se dëshmojnë për “krimet” e ushtarakëve rusë në qytetin Bucha, rajoni i Kievit, janë një tjetër provokim”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Ai i quajti pamjet "një shfaqje tjetër të inskenuar nga regjimi i Kievit për mediat perëndimore".
Imazhet e civilëve të vdekur të shpërndara nëpër qytet nxitën vendet perëndimore të bënin thirrje për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se të gjitha njësitë ushtarake ruse ishin larguar nga Bucha më 30 mars dhe se civilët kishin qenë të lirë të lëviznin nëpër qytet ose të evakuoheshin ndërsa ishte nën kontrollin rus.
“Gjatë kohës që forcat e armatosura ruse ishin nën kontrollin e këtij vendbanimi, asnjë banor i vetëm vendas nuk pësoi ndonjë veprim të dhunshëm”, thuhet në deklaratë.
Moska ka mohuar më parë akuzat se ka shënjestruar civilët dhe ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte.
Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt në atë që e quajti një operacion special për të degraduar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të çrrënjosur njerëzit që i quajti nacionalistë të rrezikshëm.
Forcat ukrainase kanë ngritur rezistencë të ashpër dhe Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar atë të tërheqë forcat e saj.
