73 vjetori i NATO-s, RMV shënon ditën e Aleancës Veriatlantike
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, morren pjesë në tribunën me rastin e Ditës së NATO-s, të cilën tradicionalisht çdo vit e organizon Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski me ketë rast ka deklaruar se forca e Aleancës qëndron në unitetin e vendeve anëtare.
4 prilli është Dita e NATO-s, kur të gjithë aleatët janë të bashkuar më shumë se kurrë.
“Jemi para sfidave të reja gjeopolitike në një kohë kur në kontinentin evropian jemi dëshmitarë të agresionin ushtarak që po ndodh në Ukrainë, ndërsa kujtojmë se forca jonë është uniteti i Aleancës”, ka thënë Kovaçevski.
Me rastin e ditës së NATO-s, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska ka deklaruar se vendi është krenar që është pjesë e familjes euroatlantike të demokracive.
“NATO mbron - NATO bashkohet - NATO forcohet”, ka deklaruar ministrja Petrovska.
Në këtë eveniment fjalime patën edhe zëvendësndihmës sekretar i përgjithshëm për diplomaci publike të NATO-s, Karmen Romero, si dhe ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërnz.
Tribuna me rastin e “Ditës së NATO-s -4 Prilli” është aktivitet tradicional i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, i cili krahas shënimit të përvjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit dhe formimit të NATO-s, shërben si ngjarje informative që ka për qëllim ta informojë opinionin më të gjerë dhe mediat për zhvillimin e ngjarjeve në nivel global, kontributin tonë si vend, si dhe përfitimet nga anëtarësimi në NATO aleancën.
