Serbët në veri të Mitrovicës, festuan me të shtëna armësh fitoren e Vuçiçit

04.04.2022 13:50

Shtetasit serb që jetojnë në Mitrovicë...

Shtetasit serb që jetojnë në Mitrovicë festuan me të shtëna armësh mbrëmë  fitoren e presidentit Aleksander Vuçiç në Serbi.

Policia e Kosovës u vendos në gatishmëri por megjithatë, nuk ka njoftuar për ndonjë arrestim në lidhje me të shtënat në veri të Mitrovicës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi me komentin se komuniteti ndërkombëtar “duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”.

Përmes një postimi në Tëitter, Osmani ka shprehur shqetësimin për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

“Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit me mjete administrative”, ka shkruar ajo.

Politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, kanë thënë më herët se ka vite që Serbia ka nisur të ashtëquajturin pasivizim të adresave të shqiptarëve që jetojnë në tre komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave.

Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë në 2011-n.