Maqedoni

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme pranë anëtarësimit në Byronë e Shoqatave Evropiane

05.04.2022 15:37

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme zyrtarisht ka fituar statusin kandidat për anëtarësim në Byronë...

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme zyrtarisht ka fituar statusin kandidat për anëtarësim në Byronë organizative të shoqatave evropiane të shkollave të mesme. Me këtë, Unioni i Nxënësve do të bëhet pjesë e familjes evropiane, përkatësisht aktivistëve që punojnë për të drejta dhe interesat e shkollave të mesme në të gjithë kontinentin. Njëherit u bë e ditur se ekipet e Unionit të Nxënësve kanë përgatitur edhe dy projekt propozime ligjore.
 
“Projekt ligji i parë ka të bëjë me transportin falas për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa i dyti me organizimin e shkollave të mesme. Gjendja aktuale me transportin publik është dëshpërues, të gjithëve na kujtohet rasti i Radovishit ku 66 gjimnazist nuk kishin transport për të shkuar në shkollë për dy javë. Vetë sistemi është diskriminues, nxënësit e shkollave të mesme që jetojnë më afër se 2,5 kilometër nga shkolla e tyre po ashtu edhe ata në shkolla private nuk kanë të drejt për transport falas, ndërsa ata që e kanë këtë të drejt sërish e humbasin gjatë pushimeve, gjë që u a cenon lëvizjen.”,- tha nxënësja e shkollës së mesme, Adora Limani.
 
Nga Unioni i Nxënësve po ashtu kërkojnë themelimin e këshillave të nxënësve në çdo shkollë dhe pavarësinë e tyre nga organet tjera shkollore. Kryetarët e Këshillave të Nxënësve do të zgjidhen me zgjedhje të drejtpërdrejta të nxënësve. Këto kërkesa Unioni i ka prezantuar edhe në takimin me Klubin e Deputetëve të Rinj në konferencën e organizuar nga presidenti i shtetit. 
 
“Është koha për një demokraci në shkollat e mesme, hapi i radhës ngel që Asambleja e Përgjithshme e Unionit të debatojë dhe miratojë këto propozime në seancën e radhës e cila është caktuar më 10 prill.”,- u shpreh nxënësja e shkollës së mesme, Adora Limani.
 
Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme njëherit theksojnë se derisa vendi pret statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, nxënësit e shkollave të mesme janë shumë përpara pasi tashmë janë kandidat për anëtarësim në Byronë organizative të shoqatave evropiane, që në fakt është Bashkimi Evropian për organizatat e shkollave të mesme.   
 
GYLTENE SINANI