Maqedoni
Vendimi gjyqësor për rastin “Toplik”, Janakievski dënohet me 3 vite e 6 muaj burg
05.04.2022 16:18
Gjykata Themelore Shkupi 1 shpalli fajtor 6 të akuzuarit në rastin “Toplik”...

Gjykata Themelore Shkupi 1 shpalli fajtor 6 të akuzuarit në rastin “Toplik” që ka të bëjë me shitjen e tokës ndërtimore për ndërtimin e lagjes “Qyteti i Diellit” në Sopishtë.
“Gjykata shpall fajtor Mile Janakievskin dhe e dënon atë me 3 vite e 6 muaj burgim, Tome Gjurçilov me 3 vite burgim, ndërsa të akuzuarit e tjerë, Dimitar Dimovski, Marica Taseva, Dimitar Gakev, Vesa Tomçevska dënohen me nga 2 vite burgim me kusht që të mos e përsëritin veprën penale gjatë 5 viteve të ardhshme. Të gjithë ata janë të detyruar të kthejnë dëmin solidar.”,- deklaroi gjykatësi, Osman Shabani.
Pala mbrojtëse është e pakënaqur nga vendimet e shqiptuara dhe paralajmëron se do të ankimojnë vendimet në Gjykatën e Apelit.
“Në gjykatë pamë se si një lëndë në bazë të disa instruksioneve mund të përfundojë me verdikte dënues. Për këtë arsye ne do të ankimojmë vendimin në Gjykatën e Apelit, sepse nëse në këtë mënyrë vazhdohet të sigurohet “drejtësia”, me besoni se drejtësi të vërtetë asnjëherë nuk do të kemi në këtë vend.”,- deklaroi avokati i palës mbrojtëse, Pançe Toçkovski.
Prokurori, Burim Rustemi, në përgjegjësi shprehet i kënaqur nga vendimet e shqiptuara, përveç për njërin prej të akuzuarve për të cilën në apel do të ankohet që t’i shqiptohet dënim më rigoroz.
“Në përgjegjësi jam i kënaqur nga vendimet e shqiptuara gjyqësore, përveç për të akuzuarin, Dimitar Dimovski, me të cilën nuk jam i kënaqur me dënimin e tij, pasi që nga dëshmitë e prezantuara vlerësojë se ai ka pasur përgjegjësi të madhe në këtë vepër penal, pasi qe edhe dëshmitarët thanë se ai ka bërë presione gjatë marrjes së vendimeve për këtë rast.”,- theksoi prokurori, Burim Rustemi.
Lënda për rastin “Toplik” për shitjen e tokës ndërtimore në lagjen “Qyteti i Diellit” fillimisht u hap nga ish PSP-ja. Janakieski akuzohet se si person drejtues në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike, ka formuar Komision për Ankand Publik, i cili ka urdhëruar që të zgjedhë një ofertues për blerjen e tokës shtetërore për ndërtimin e kompleksit elitar “Qyteti i Diellit” në Sopishte, edhe pse kompania nuk i ka plotësuar kushtet për këtë, ndërsa pesë personat e tjerë të Komisionit për Ankand Publik për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.
REXHEP QAMILI
