Maqedoni
Anketa e IPSOS e porositur nga VMRO-DPMNE, për VMRO-në 18,2%, LSDM-në 9,5%, BDI-në 4.1 % e ASh-në 3.5%
05.04.2022 16:32
Nëse nesër mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për VMRO-DPMNE-në do të votonin 18.2 për qind...

Nëse nesër mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për VMRO-DPMNE-në do të votonin 18.2 për qind, ndërsa për LSDM-në 9.5 për qind, tregojnë rezultatet e anketës së fundit të IPSOS, të realizuar për nevojat e VMRO-DPMNE-së. Këto rezultate u publikuan nga Pallati i Bardhë dhe sipas të dhënave, dy partitë e radhës janë BDI-ja dhe E Majta me pothuajse të njëjtin rejting - BDI 4.1% dhe e Majta 4.0%. Pas tyre është Aleanca për Shqiptarët me 3.5 për qind. Nëse nesër do të ketë zgjedhje të parakohshme, për Besën do të votonin 1.2%, për Alternativën 0.7 %, PDSh-në 0.4% e LDP 0.2%. Në këtë pyetje të pavendosur kanë qenë 16.5% e qytetarëve, kanë refuzuar të përgjigjen 15.9% dhe 24.6% nuk do të votonin.
Sipas kësaj ankete, politikani që më së shumti i besojnë qytetarët është Hristian Mickoski me 9 për qind besueshmëri. Vendin e dytë për besueshmëri e ka presidenti, Stevo Pendarovski, me 6 për qind, ndërsa kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i besojnë 4 për qind e qytetarëve.
3 për qind e qytetarëve besojnë te lideri i të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe po njëjtë me 3% te lideri i Së Majtës, Dimitar Apasiev.
Politikanët më pak të besueshëm sipas kësaj ankete janë lideri i ASh-së, Ziadin Sela, dhe ish kryeministri, Zoran Zaev, që të dyve iu besojnë 2 për qind e qytetarëve. Pjesë e anketës ka qenë edhe pyetje për veton bullgare dhe kërkesën që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë.
39 % e qytetarëve mendojnë se Maqedonia duhet të kërkojë reciprocitet nga Bullgaria. 20% janë të mendimit se Maqedonia duhet të përfshijë bullgarët pa kushte në kushtetutë nëse Bullgaria garanton me shkrim se do të heqë veton dhe vendi do të fillojë negociatat me BE-në. Maqedonia duhet t'i përfshijë pa kushte bullgarët në kushtetutë pavarësisht kësaj se Bullgaria nuk garanton fillimin e negociatave me BE-në - 10% dhe me “nuk di” janë përgjigjur 31% e të anketuarve. Anketa është kryer në terren nga 1007 të anketuar në periudhën nga 2 deri më 16 mars 2022.
SANIJE DURAKU
