Maqedoni
Xhaferi pezullon seancën e Komisionit Anketues
05.04.2022 17:26
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka pezulluar mbledhjen e katërt të Komisionit Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut...

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka pezulluar mbledhjen e katërt të Komisionit Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut të caktuar nga kryetari i këtij trupi punues, Halil Snopçe, e në të cilin është dashur të shqyrtohet informata për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, informata për tragjedinë me autobusin e “Besa Trans” të Bullgari dhe ankesa e një qytetari.
Në arsyetimin me shkrim të kryeparlamentarit Xhaferi thuhet se seanca nuk është caktuar në përputhje me Rregulloren për Punë të Kuvendit.
Snopçe: Pezullimi, nebulozë juridike
Akti i kryeparlamentarit ka irrituar kreun e Komisionit Anketues, Halil Snopçe, i cili nuk pajtohet me arsyetimin e Xhaferit dhe kërkon sqarim. Të njëjtën gjë e kërkojnë edhe deputetët anëtarët e Komisionit.
“Unë prisja nga ju z. Xhaferi që të mbështesni në këtë mision parlamentar, human e demokratik dhe jo të obstruoni dhe të pengoni. Të përfundojë anulimi i mbledhjes së thirrur dhe pengimi që ajo të mos mbahet nuk është asgjë tjetër veç se një nebulozë juridike.”,- tha kryetari i Komisionit Anketues, Halil Snopçe.
Apasiev: Nga mandati që të anuloni seancë?
“Nga e fitoni mandatin që të anuloni seancë të thirrur?! Mos janë pikat sensitive ku janë përfshirë bashkëpartiak tuaj të BDI-së ose ndonjë në interpretim i ri i juaji? Dua ta di, sepse jam anëtar i këtij Komisioni.”,- theksoi anëtari i Komisionit Anketues, Dimitar Apasiev.
Xhaferi: Është shkelur rregullorja e Kuvendit
Kryepralamentari Xhaferi tha se qëndron pas arsyetimit me shkrim për anulimin e seancës së Komisionit Anketues. Sipas tij, kryetari nuk e ka thirrur seancën konform rregullores.
“Po, është kompetencë e kryetarit të Komisionit që të thërrasë seancë, por nuk është kompetencë e kryetarit të komisionit dhe deputetit që materialet t’ia drejton kryetarit të komisionit, por është detyrim për çdo propozues që materialet t’ia dërgon kryetarit të Kuvendit, i cili pasi tua ndajë deputetëve dhe komisionit përkatës, fillojnë kompetencat e kryetarit të komisionit.”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Sipas kreut të Kuvendit, deputeti Snopçe materialet për seancën ia ka dërguar vetes, si kryetar Komisioni dhe jo kryetarit të Kuvendit, që sipas Xhaferit paraqet në praktikë në kundërshtim me Rregulloren.
Ndërkaq, Snopçe tha se për veprimin e Xhaferit do të njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
SHPËTIM NUREDINI
