Britania: Luftimet dhe sulmet ajrore vazhdojnë në Mariupol

06.04.2022 11:20

Luftimet e ashpra dhe sulmet ajrore ruse....

Luftimet e ashpra dhe sulmet ajrore ruse po vazhdojnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, në juglindje të Ukrainës, tha inteligjenca ushtarake britanike më 6 prill.

Situata humanitare në këtë qytet-port është përkeqësuar dhe shumica e 160,000 banorëve vazhdojnë të jenë pa rrymë, komunikim, ilaçe, ngrohje apo ujë. 

“Forcat ruse po parandalojnë qasjen humanitare me gjasë për t’iu bërë presion mbrojtësve që të dorëzohen”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Këto raportime nuk mundën të verifikohen menjëherë në mënyrë të pavarur. Një ditë më parë, Ukraina vazhdoi përpjekjet për të evakuuar banorët nga Mariupoli dhe nga zona të tjera.

Mbi 3,800 persona mundën që të largohen më 5 prill përmes korridoreve humanitare, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Por, konvojet me shtatë autobusë, që ishin paraparë të evakuonin banorët nga Mariupoli nuk arritën që të kalonin përmes bllokadës ruse, tha Vereshchuk.

Michel: Sanksionimi i gazit rus duhet të ndodhë

Ndërkohë Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione në energjinë ruse, siç është nafta dhe gazi, “herët a vonë”, teksa blloku po përgatitet të rrisë presionin ndaj Moskës, pas raportimeve për mizori të luftës të kryera në Ukrainë nga trupat ruse.

Që prej se trupat ruse u tërhoqën javën e kaluar nga qytetet dhe fshatrat përreth Kievit, videot e publikuara dhe mediat kanë raportuar se në këto zona janë parë civilë të vrarë nga trupat ruse, të shtrirë nëpër rrugë.

Disa prej viktimave kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Raportimet, që Rusia i quan “të rreme”, kanë nxitur dënim të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar.