Maqedoni
Gjykimi për zjarrin tragjik në klubin “Puls”, dëshmi për shkelje serioze të sigurisë
12.03.2026 15:05
Një inspektor deklaroi se në objekt janë konstatuar mangësi të rënda në standardet e sigurisë....

Në seancën gjyqësore për zjarrin tragjik në klubin “Puls” në Koçan, një inspektor nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Vinica deklaroi se në objekt janë konstatuar mangësi të rënda në standardet e sigurisë. Sipas dëshmisë së tij, në klub kishte vetëm dy aparate kundër zjarrit, ndërsa hidranti ishte i zbrazët, pa ujë, pa zorrë dhe pa gryka. Po ashtu, objekti nuk kishte sistem për alarmimin e zjarrit. Një nga problemet më serioze që ka konstatuar gjatë inspektimit pas tragjedisë ka qenë dalja ndihmëse, e cila ka qenë e mbyllur nga brenda dhe e siguruar me dry. Dera nuk kishte dorezë dhe u thye nga zjarrfikësit për të hyrë në objekt. Ajo ishte e ngushtë, pa dritë emergjente dhe nga jashtë ishte e mbyllur me stiropor (polistiren). Edhe qasja për shërbimet emergjente ka qenë e vështirë për shkak të pengesave rreth objektit, tha dëshmitari.
"Në daljen e pasme kishte një sipërfaqe të gjelbër si kodër dhe një gardh, gjë që nuk lejonte qasje për ndihmën e shpejtë ose zjarrfikëset.", deklaroi dëshmitari.
Inspektori theksoi gjithashtu se Komuna e Koçanit për më shumë se 14 vjet nuk kishte pasur inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, pasi i fundit ishte pensionuar. Ai sqaroi se për një kontroll të jashtëzakonshëm në një komunë tjetër nevojitet urdhër me shkrim nga drejtoria e DMSh-së. Inspektori theksoi se institucionet kanë të drejtë të ndalojnë përdorimin e një objekti nëse paraqet rrezik për sigurinë, ndërsa investitorët janë të detyruar të përgatisin dokumentacion dhe elaborat për mbrojtje nga zjarri.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk është një organ inspektimi që kryen inspektime të kafeneve, tavernave dhe restoranteve. Është një institucion që përfshin mbrojtjen territoriale dhe mbrojtjen civile të të gjithë vendit, pohon avokati Zvonko Davidoviq, avokat mbrojtës i ish-drejtorit të akuzuar të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Adnan Xhaferoski.
“Për fat të keq edhe vet inspektori nuk e njeh ligjin në tërësi. Atje qartë qëndron se cili është roli i inspektorëve, që tregon se drejtorët që janë në bankën e të akuzuarve nuk kanë lidhje e as ingerenca, me mbikëqyrje inspektuese, veçanërisht jo me rastin konkret.”, - theksoi avokati Zvonko Davidoviq.
Nga zjarri i shkaktuar në klubin "Puls" në Koçan humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 mbetën të lënduar. Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan të pafajshëm.
FLORIJE KAMBERI
