Maqedoni
Zhvillime politike në bllokun shqiptar, Sela: Pa Badinter në Gjykatën Kushtetuese, s’futemi në Qeveri
04.05.2026 16:03
Lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela...

Lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit nga radhët e VLEN-it, lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së tij dhe të partisë së tij në Qeveri.
Sela theksoi se çdo diskutim për një bashkim eventual në pushtetin ekzekutiv duhet të bazohet në parime dhe kushte politike të qarta. Ai veçoi se për të dhe për bllokun e tij politik, prioritet kyç mbetet respektimi dhe zbatimi praktik i parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese.
“Dikur pronarët u thoshin punëtorëve ‘nëse nuk do ti, ka fëmijë të tjerë’. Sot ‘fëmijë të tjerë nuk ka’.”, - theksoi Ziadin Sela nga ASh.
Sipas tij, kjo çështje është thelbësore për sigurimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve joshumicë në shtet. Sela shtoi se pa përmbushjen e këtyre kushteve nuk mund të flitet për asnjë marrëveshje për pjesëmarrje në Qeveri.
VLEN: Edhe 5 ditë deri në Kongresin e Bashkimit
Nga ana tjetër, një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ditë më parë deklaroi se ekzistojnë komunikime dhe biseda të hapura për mundësinë që Sela t’i bashkohet koalicionit qeveritar, duke vlerësuar se “dera është gjysmë e hapur”.
Ndërkohë, nga VLEN-i, përmes një komunikate, kanë njoftuar se kanë mbetur edhe 5 ditë deri në kongresin, siç e quajnë ata të “bashkimit”.
“Më 9 maj afrohet fundi i iluzionit politik se shqiptarët mund të mbahen të ndarë. Në Ditën e Evropës, VLEN-i shkon drejt Kongresit të Bashkimit si një forcë që e ka kuptuar mesazhin e kohës. Shqiptarëve u duhet një zë i fortë, i bashkuar dhe i pakompromis. Ky është premtim që e kemi dhënë qysh moti. Për vite me radhë, të tjerët kanë ndërtuar pushtet mbi përçarje. Kanë ushqyer ndasi, kanë krijuar grupe, kanë blerë heshtje dhe kanë shitur mashtrimin si patriotizëm. Sot, kur pesë subjekte bëhen një forcë, atyre u prishet loja.”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Nga VLEN-i njoftojnë se më 9 maj, në Kongres do të marrin pjesë rreth 850 delegatë nga pesë subjektet në një forcë politike.
ARMEND MURSELI
