Rusia shpall armëpushim në ditën e fitores, ndërsa luftimet vazhdojnë, Zelenski me kritika
Sonte në mesnatë pritet të hyjë në fuqi një armëpushim i shpallur...

Sonte në mesnatë pritet të hyjë në fuqi një armëpushim i shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin, mes Rusisë dhe Ukrainës, me rastin e Ditës së Fitores. Vendimi vjen në një moment tensionesh të shtuara në frontin e luftës.
Kremlini ka vendosur të reduktojë paradën tradicionale ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë, për shkak të shqetësimeve për sulme të mundshme ukrainase.
Nga ana tjetër presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski ka kritikuar ashpër këto propozime për armëpushim të përkohshëm, duke i cilësuar ato si të pasinqerta dhe të pamjaftueshme për situatën në terren.
“Ditën e sotme u kryen sulme në Merefë, dje në Dnipro. Të vrarë, të plagosur, të rritur, fëmijë. Dhe pas gjithë kësaj, të thuhet se ndalohen sulmet vetëm një ditë para paradës dhe të flitet për armëpushim njëditor, nuk është serioze.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, luftimet mes dy palëve kanë vazhduar. Rusia ka njoftuar se ka rrëzuar rreth 290 dronë ukrainas, ndërsa Ukraina vazhdon të raportojë sulme në territorin e saj.
“U zgjuam dhe pamë të gjitha dritaret e thyera, porta ishte hedhur nga shpërthimi, dhe edhe njerëz, fqinjët, ishin të plagosur. Nuk mund të dilja sepse dera ishte bllokuar. Derisa dikush më ndihmoi dhe e rregulloi, nuk mund të largohesha.”, - u shpreh banorja e Dnipros, Olena.
“E nxora shpejt nënën nga shtëpia, mora një çantë me disa dokumente, mora macen dhe dola me vrap. Fqinjët erdhën menjëherë, thirrën zjarrfikësit dhe ata shuan atë që mundën vetë, ndërsa zjarrfikësit shuan pjesën tjetër.”, - tha banori i Dnipros, Dmitro.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka bërë të ditur se pajisjet për monitorim meteorologjik në centralin bërthamor të Zaporizhisë, në juglindje të Ukrainës, janë dëmtuar nga një sulm me dron. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
