Kinë, 26 viktima dhe dhjetëra të plagosur, shpërthim tragjik në fabrikën e fishekzjarrëve
Të paktën 26 persona kanë humbur jetën...

Të paktën 26 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 60 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një fabrikë për prodhimin e fishekzjarrëve në provincën Hunan, në Kinë.
Banorët në zonat e rrezikshme janë evakuuar, ndërsa autoritetet kanë angazhuar mbi 1.500 persona për ndërhyrje emergjente.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit janë përdorur edhe robotë për të ndihmuar në gjetjen e personave të bllokuar brenda objektit. Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:40 në qytetin Liujang, pranë kryeqytetit provincial Çangsha.
Të plagosurit janë transportuar në spitale për trajtim, ndërsa autoritetet po vijojnë me raundin e dytë të kërkimeve.
Presidenti i Xi Jinping ka bërë thirrje për përpjekje maksimale për gjetjen e të zhdukurve dhe shpëtimin e të plagosurve. Ai ka urdhëruar forcimin e kontrollit të rreziqeve, rritjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Xi kërkoi gjithashtu një hetim të shpejtë të aksidentit dhe theksoi se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa edhe ndaj pronarëve të kompanisë së fishekzjarrëve, ndërsa policia po heton shkaqet e shpërthimit.
Kryeministri kinez Li Qiang bëri thirrje për forcimin e sigurisë në sektorët kyç dhe parandalimin e aksidenteve të mëdha.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë prani të madhe të forcave të emergjencës, përfshirë zjarrfikës, ambulanca dhe mjete policie, si dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesat përreth.
Kina prodhon një pjesë të madhe të fishekzjarrëve që eksportohen në mbarë botën.
