Gjykimi për rastin në diskotekën “Puls”, u shpallën fajtorë tre policë për shpërdorim detyre
Gjykata Penale Themelore në Shkup...

Gjykata Penale Themelore në Shkup ka sjellë vendim të shkallës së parë me të cilin tre policë nga Koçani janë shpallur fajtorë për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Kire Bogatinov dhe Goran Lazarov u dënuan me dënim me kusht prej një viti burg, ndërsa ish-komandanti i Stacionit Policor në Koçan, Aleksandar Temelkov, u dënua me dënim me kusht prej dy vitesh burg.
Dënimet nuk do të ekzekutohen, nëse brenda katër viteve ata nuk kryejnë vepër tjetër penale. As të akuzuarit dhe as avokatët e tyre nuk ishin të pranishëm në shpalljen e vendimit.
Gjyqtarja Lidija Petrovska theksoi se si rrethana lehtësuese u morën parasysh, fakti që të akuzuarit nuk kishin dënime të mëparshme, se kanë familje dhe se veprimet e tyre nuk shkaktuan pasoja direkte lidhur me zjarrin në diskotekën “Puls”.
Megjithatë, gjykata konstatoi se ata i kanë kryer detyrat vetëm formalisht, pa kontroll real dhe pa verifikim të dokumentacionit. Për këtë arsye nuk është hapur procedurë kundërvajtëse kundër personave të duhur dhe është mundësuar përfitim pasuror.
Për Bogatinovin dhe Lazarovin u konstatua se gjatë kontrolleve në lokale nuk kanë verifikuar se kush është pronari i vërtetë i veprimtarisë dhe kanë futur të dhëna vetëm në bazë të supozimeve. Ndërsa për Temelkovin, gjykata vlerësoi se ai, edhe pse kishte informacione të sakta për licencat dhe subjektin juridik, ka lejuar procedurë kundër një subjekti që nuk ishte aktiv.
Të dënuarit janë të detyruar të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore prej 7.000 denarësh secili. Kundër këtij vendimit lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup. Në fjalët përfundimtare, Prokuroria kërkoi dënim, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin, duke pretenduar se fajësia nuk është provuar.
