Maqedoni
Integrimi i vendit, Mickoski Filipçes: S’mbroni interesat e vendit, zgjedhjet u sjellin fund
05.05.2026 15:54
Vazhdojnë retorikat dhe përplasjet politike mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së...

Vazhdojnë retorikat dhe përplasjet politike mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së lidhur me procesin eurointegrues të vendit dhe raportet dypalëshe me fqinjin lindor. Kreu i ekzekutivit, Mickoski, akuzon LSDM-në për mosbashkëngjitje në mbrojtjen e interesave nacionale maqedonase. Për punën e socialdemokratëve në politikë, thotë se do të marrë fund në zgjedhjet parlamentare, e që sipas Mickoskit, do të vijnë së shpejti.
“Nga momenti kur Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së pranuan atë kapitullimin historik me të cilën dëshmuan se janë “indi i butë” i identitetit maqedonas, por kjo nuk do të ngelet ashtu siç mendojnë ata. Me vjen keq se ata sërish kanë vendosur të përkulen në interesat e huaja në vend se të bashkëngjitet krah për krah me Qeverinë në mbrojtjen e interesave nacionale. Por, lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje dhe pas këtyre zgjedhjeve do të ndodhë që partia të cilën e udhëheqë ai, të margjinalizohet dhe unë shpresoj se ai dhe të tillët si ai do të zhduken nga politika përgjithmonë dhe do të vijnë të tjerët, patriotë të vërtetë, që e duan vendin.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Izoluat shtetin, krijoni probleme të paqena
LSDM-ja me kritika të njëjta ndaj Mickoskit se po krijon probleme artificiale me Bullgarinë dhe ngec procesin eurointegrues, duke e çuar vendin në izolim. Mbetet në qëndrimin se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë rrezikuar nga askush, ndërkaq inkorporimi i bullgarëve në kushtetutë është obligim evropian.
“Hristijan Mickoski vazhdon me fushatën e tij të vjetër, me qëllim krijon panik dhe mbrojtje të rremë të identitetit. Pse e bën këtë? Sepse i duhet arsyetim. Nuk ka asnjë reformë, as masa për qytetarët, fjalë për fjalë, nuk ka asnjë rezultat. Njëkohësisht fushata e mediave nën kontrollin e Orbanit, kundër LSDM-së, sepse ne i përkrahim eurointegrimet, narrativi i njëjtë: tradhtarë. Tani kur qytetarët dëgjojnë këtë, le ta kujtojnë premtimin e tij: shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës dhe kthimin e emrit.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kreu i socialdemokratëve thotë se janë të gatshëm për zgjedhje, në mënyrë që t’i jepet fund Qeverisë së korruptuar dhe që s’ka kujdes për të ardhmen e vendit, dhe, përfundimisht shteti t’i kthehet qytetarëve, përfundon Filipçe.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
