Maqedoni
U arrestua pjesëtari i sigurimit të Mickoskit për dhunë fizike ndaj bashkëshortes
05.05.2026 16:12
Një pjesëtarë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëherësh edhe pjesë e trupave...

Një pjesëtarë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëherësh edhe pjesë e trupave të rrojës së kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski, është arrestuar dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit, pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 37-vjeçare.
Procedurën e ka ngritur kontrolli i brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me një masë për largim nga puna.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, theksoi se dhuna familjare në të cilën është involvuar një pjesëtarë i rojës së tij, është tregues se ligji vlen njëlloj për të gjithë. Sipas numrit një të Qeverisë, ky është një tregues i qartë se në vend nuk do të ketë persona të paprekur.
“Ky është rasti i dytë, ku një pjesëtar i rojës sime, ku ligji ekziston ndaj të gjithëve pa përjashtim, për dallim nga e kaluara, ku truprojat e kryetarëve të mëparshëm të Qeverisë kanë rrahur qytetarë dhe kanë shkaktuar dhunë personave nëpër diskoteka dhe kanë kaluar pa u dënuar. Ndërsa në këtë rast sistemi ka funksionuar dhe ashtu do të vazhdojmë, sepse unë nuk do të toleroj jo-disiplinë, edhe pse personi në fjalë është pjesë e ekipit të kaluar të rojës, ku unë nuk e shoh shpesh.”, - deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, LSDM-ja opozitare ka kërkuar dorëheqje nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
“Ky është edhe një dëshmi se sistemi në vendin tonë është i shpartalluar tërësisht, ndërsa morali i VMRO-së është asgjësuar. Roja e Mickoskit është nën urdhrat direkte të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe udhëheqësit të saj, Pançe Toshkovski. Policia në vendin tonë është partizuar me ligjin për Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe është në shërbim vetëm të mbrojtjes së grupit kriminal të quajtur VMRO-DPMNE dhe kundër opozitës.”, - theksoi Natasha Popoviq nga LSDM.
Ngjarja kishte ndodhur më datë 2 maj, kur bashkëshortja e tij 37-vjeçare kishte lajmëruar rastin se ishte e sulmuar fizikisht në shtëpinë e tyre, ku i ishin drejtuar edhe kërcënime.
FITIM KRYEZIU
