Botë
Parlamenti Evropian, Shqipëria mund të mbyllë negociatat deri në vitin 2027
05.05.2026 17:32
Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE...

Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, evidenton raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar sot në komisionin e jashtëm. Raportuesi Andrea Schieder tha se ambicia për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 është realiste.
“Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE dhe kjo reflektohet edhe në këtë raport. Qëllimi i Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 nuk është thjesht një dëshirë që mund të realizohet, por një perspektivë realiste. Raporti i këtij viti vendos në qendër të vëmendjes çështjet sociale. Është thelbësore që procesi i anëtarësimit të mos fokusohet vetëm te parametra si shteti i së drejtës dhe ekonomia.”, - deklaroi raportuesi për Shqipërinë në PE, Andrea Schieder.
Në raportin e përpiluar prej tij, Brukseli apelon që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike dhe gjyqësorin.
“Pavarësisht progresit të arritur, Shqipëria ende përballet me disa sfida, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit. Cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin kohor të anëtarësimit. Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.”, - thuhet në Raportin e Parlamentit Evropian.
Thirrja për partitë politike vijon të mbetet për më shumë dialog e bashkëpunim për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Shqetësim mbetet mungesa e barazisë së kushteve në zgjedhje, keqpërdorimi i burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presion ndaj votuesve. Sinjal pozitiv për Shqipërinë e kanë cilësuar këtë raport presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
LULJETA NDOKA
