Ka filluar tregu i energjisë elektrike, synon ndërtimin e një tregu më të qëndrueshëm
Ka nisur zyrtarisht funksionimi i tregut të energjisë elektrike...

Ka nisur zyrtarisht funksionimi i tregut të energjisë elektrike që do të realizohet brenda ditës, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes së transparencës në sektorin energjetik.
Ndryshe nga modeli i mëparshëm, ku tregtia realizohej një ditë përpara, sistemi i ri mundëson shitblerje pothuajse në kohë reale. Ky zhvillim pritet të sjellë më shumë fleksibilitet për kompanitë, reduktim të humbjeve dhe një përshtatje më të shpejtë me kërkesat e tregut.
Drejtori i MEMO-s, Zoran Gjorgjievski, e cilësoi këtë si fillimin e një epoke të re energjetike për vendin.
“Është vënë në përdorim një mjet i ri në tregtimin e energjisë elektrike në vend. Nëse më parë tregtimi bëhej një ditë përpara për ditën në vijim, tani ai zhvillohet më afër kohës reale dhe realizohet vetëm një orë para dorëzimit të energjisë elektrike. Kjo do të mundësojë fleksibilitet të madh për të gjithë pjesëmarrësit në treg, ulje të disbalancave të tyre dhe integrim më të mirë të burimeve të rinovueshme të energjisë.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i MEMO-s, Zoran Gjorgjievski.
Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, e vlerësoi këtë si një hap kyç drejt liberalizimit të plotë të tregut dhe tejkalimit të ngecjeve të së kaluarës, të shkaktuara nga mungesa e vizionit dhe ngadalësia institucionale.
Ajo theksoi se, përtej teknologjisë dhe rregullave, suksesi i sistemit varet nga besimi në institucione dhe mes pjesëmarrësve në treg.
“Kjo përfaqëson një fazë të re në zhvillimin e sistemit tonë elektro-energjetik dhe një hap kyç drejt liberalizimit të plotë dhe modernizimit të tregut të energjisë elektrike. Ky proces, në periudha të caktuara në të kaluarën, ka qenë seriozisht i bllokuar për shkak të inercisë institucionale dhe mungesës së fokusit strategjik.”, - theksoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Për Qeverinë dhe kryeministrin Mickoski nuk ka dyshim se sektori i energjetikës është një nga shtyllat më të rëndësishme dhe një prioritet i kësaj qeverie, duke synuar sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm, të sigurt dhe funksional, si dhe rezistent ndaj sfidave globale, tha ai.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se, që nga momenti kur MEMO zyrtarisht fillon me tregtimin intraday, rritet transparenca, diçka që deri më tani ka munguar, pasi shpeshherë politikanët e kanë keqpërdorur energjetikën duke pretenduar se ka abuzime, pa pasur njohuri thelbësore dhe paraprake për mënyrën se si funksionon sektori i energjisë. Ky sistem tregtimi dhe kjo platformë, pikërisht duke rritur transparencën, u japin përgjigje të gjitha atyre dilemave dhe për këtë arsye i uroj MEMO-s dhe Ministrisë së Energjetikës për gjithçka që promovuan sot.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski po ashtu tha se Qeveria i mbron qytetarët nga kriza energjetike, duke mundësuar furnizim në kohë me energjencat. Përndryshe tregtimi i ri elektronik nisi me 21 pjesëmarrës të regjistruar dhe pritjet e përfaqësuesve janë që ky numër të rritet, u tha me këtë rast. (Rexhep Qamili, TVM2)
