ShBA-ja pezullon operacionin në Hormuz, përparim në bisedime, por mospajtimet vazhdojnë
ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht operacionin...

ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht operacionin për lëvizjen e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, për shkak të përparimit në negociatat me Iranin, me kërkesë të Pakistanit.
“Projekti Liria” ndalet, por bllokada detare do të vazhdojë, njoftoi presidenti amerikan Donald Tramp, duke shtuar se është arritur një sukses i madh ushtarak.
“Askush nuk do ta vërë në pikëpyetje bllokadën. Ajo funksionon shumë mirë. Nuk më pëlqen që kur flasin me mua, pastaj në televizion thonë: “Nuk kemi folur.” Ata luajnë lojëra, por duan të arrijnë marrëveshje.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Teherani e përshëndeti këtë hap si fitore, duke pretenduar se Trampi “është tërhequr”. Presidenti iranian Masud Pezeshkian vlerësoi se ShBA-ja vendos kërkesa “joreale” dhe i hodhi poshtë kushtet e imponuara njëanshmërisht.
“Ne myslimanët tashmë i jemi dorëzuar të Plotfuqishmit dhe askush tjetër nuk mund të na detyrojë të dorëzohemi.”, - theksoi presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
Ndërkohë, diplomati më i lartë iranian, Abas Araghçi, është duke zhvilluar bisedime në Pekin, disa ditë para vizitës së paralajmëruar të Trampit në Kinë.
“Është urgjente një armëpushim gjithëpërfshirës; vazhdimi i armiqësive është i papranueshëm dhe është veçanërisht e rëndësishme të mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe negociatave.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Kinës, Ëang Ji.
Më herët, ShBA-ja deklaroi se presin që Pekini të ushtrojë presion ndaj Teheranit për të ndërprerë aktivitetet në ngushticë.
“Ajo që bëni në ngushticë shkakton izolimin tuaj global. Ju jeni pala negative në këtë. Nuk duhet të sulmoni anije dhe ta mbani ekonominë globale peng.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se kanë kapur raketa dhe dronë iranianë, gjë që shkaktoi reagime ndërkombëtare, ndërsa Teherani i mohoi sulmet.
“Nëse do të ishin ndërmarrë veprime të tilla, do ta kishim bërë publike qartë. Raportet janë plotësisht të pasakta dhe të rreme.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë së Iranit, Ebrahim Zolfaghari.
“Bëjmë thirrje për ndërprerjen e armiqësive dhe rikthimin në negociata diplomatike. I dënoj sulmet dhe bëj thirrje për rikthimin e lirisë së lundrimit.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Ende nuk dihet qartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo pauzë mbi rrugët energjetike dhe ekonominë globale, ndërkohë që të dyja palët vazhdojnë të kenë mospajtime në propozimet e tyre, të cilat mund ta vënë në rrezik armëpushimin. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
