Maqedoni

Gjyqi për rastin “Puls”, prova të reja dhe akuza për mungesë drejtësie

06.05.2026 15:51

Në sallën e gjyqit në Idrizovë për rastin tragjik në diskotekën “Plus” në Koçan...

Në sallën e gjyqit në Idrizovë për rastin tragjik në diskotekën “Plus” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, u prezantuan prova materiale. Mes tyre ishte një album me 92 fotografi që dokumentojnë gjendjen në vendin e ngjarjes. Është konstatuar prania e materialeve lehtësisht të djegshme dhe kushte të pasigurta që kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit.
 
Sipas Inspektoratit të Ndërtimit, hapësira mbi skenë ka qenë vetëm 2.7 metra, dukshëm nën standardin e nevojshëm për përdorim të mjeteve piroteknike, ndërsa në objekt janë përdorur materiale si sfungjer, xham dhe stiropor, që rrisin rrezikun e ndezjes. Gjithashtu, objekti nuk ka pasur sistem për shuarjen e zjarrit dhe disa dalje emergjente kanë qenë të mbyllura. Ndërkohë, prindërit e viktimave kanë shprehur revoltë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila dënoi tre policë me kusht prej dy vitesh burg.
 
“Për mungesë të kushteve, duke e çuar ngjarjen në 63 jetë të humbura dhe mbi 200 të plagosur, duke lënë pas vetës e gjithë qytetin në pikëllim. Ligji thotë burgim, gjykata thotë mundet edhe pa të, siç duket tek ne gjykimi mbetet opsion. Institucionet politikë apo biznes. Sistemi nuk përballet me veten, sistemi e mbron veten. Kjo nuk është drejtësi, kjo është mbyllje teknike e rastit.”, - u shpreh nëna e viktimës, Natasha Taneska. 
 
“Duhet Prokuroria të veprojë me ankesë dhe gjyqi ta shohë gjendjen reale të situatës, sepse shihet që diçka fshihet.”, - theksoi babai i viktimës, Aleksandar Naumov. 
 
Paraqitja e këtyre provave materiale vjen pas hyrjes së tensionuar në seancën e sotme, në të cilën avokatët e mbrojtjes e kundërshtuan hapur ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Para fillimit të procedurës së provave nga Prokuroria, mbrojtja pretendoi se një pjesë e provave të propozuara janë komprometuese dhe kërkoi përjashtimin e tyre.
 
Kërkesat për marrjen në pyetje të kryqëzuar të ekspertëve shtesë dhe angazhimin e këshilltarëve teknikë nga ana e mbrojtjes u refuzuan nga Gjykata si të pabazuara, ndërsa Prokuroria i vlerësoi këto reagime si një mjet taktik për zvarritjen e procedurës gjyqësore.
 
FITORE NAGAVCI