Maqedoni

Janevska: IA po hyn në arsim, duhet kujdes dhe rol më i madh i mësuesve

06.05.2026 16:09

Inteligjenca Artificiale nuk është më e ardhme për të cilën flasim teorikisht...

Inteligjenca Artificiale nuk është më e ardhme për të cilën flasim teorikisht, ajo ngadalë, por me siguri po bëhet pjesë e çdo klase dhe e përditshmërisë së nxënësve.
 
Çështja që hapim sot nuk është nëse ajo do të ndikojë në arsim, por si ne do ta drejtojmë atë proces, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panel-diskutimin e sotëm nga fushata “Magjia është në dije”, kushtuar rolit të inteligjencës artificiale në arsim.
 
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ndjek në mënyrë aktive trendet bashkëkohore arsimore, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në arsim, ndërsa theks i veçantë, i kushtohet edhe trajnimeve të vazhdueshme për stafin mësimor. 
 
“Qëllimi ynë si Qeveri dhe si MASh, që këtë ta sjellim në jetën e nxënësve dhe mësuesve, por të jemi të kujdesshëm që ta respektojmë etikën, sepse çdo teknologji e re sjell avancime të mira, por ka edhe rreziqet e veta. Pavarësisht se si zhvillohet teknologjia, dituria është jashtëzakonisht e rëndësishme, por më e rëndësishmja dhe roli kyç luhet nga mësuesit, të cilët meritojnë gjithë respektin dhe besimin tonë, dhe shpresoj se ata do ta kryejnë funksionin e tyre në lidhje me inteligjencën artificiale ashtu siç duhet.", - deklaroi ministrja e MASh-it, Vesna Janevska.
 
Ndër pjesëmarrësit në panel-diskutim ishte edhe njëmbëdhjetëvjeçari Makedon Dimitrovski, nxënës në Shkollën Ndërkombëtare NOVA - Shkup, i njohur në opinion si fëmijë jashtëzakonisht i talentuar me interes për matematikë dhe gjuhë, i cili në garat ndërkombëtare mori medaljen e artë. 
 
“Garat të cilat u zhvilluan në Gjermani ishin interesante, ishte një konkurrencë shumë e fortë, ku vetëm në finale ishin diku rreth 1.000 nxënës.”, - theksoi nxënësi, Makedon Dimitrovski.
 
Përfaqësuesit e komunitetit akademik theksuan se inteligjenca artificiale tashmë po e ndryshon mënyrën se si nxënësit i qasen dijes, por se sfida mbetet në zhvillimin e të menduarit kritik dhe përdorimin e duhur të mjeteve.
 
FITIM KRYEZIU