Maqedoni

Zgjedhje të parakohshme, LSDM: Mickoski shpejton për zgjedhje

06.05.2026 16:27

Partitë trazojnë sërish skenën politike për zgjedhje të parakohshme...

Partitë trazojnë sërish skenën politike për zgjedhje të parakohshme parlamentare. LSDM-ja pohon se kryeministri Hristijan Mickoski po shpejton drejt zgjedhjeve nga frika e hetimeve që do të vijnë pas rënies së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, nga pushteti.
 
Madje, socialdemokratët konsiderojnë se pas dy viteve qeverisjeje, Mickoski nuk ka përmbushur asnjë premtim zgjedhor.
 
“Të gjitha skemat vëllazërore së shpejti do të jenë nën thjerrëz. Rrjeti mediatik i Orbanit, marrëveshjet e dyshimta, tenderët, bizneset e telekomunikimit dhe të energjetikës të lidhura me Orbanin, i gjithë oktapodi kriminel do të hetohet. Tani kanë motiv më të madh, frika nga hetimet dhe përgjegjësia. Ashtu sikurse LSDM me muaj paralajmëroi, kur s’do ketë para për tender dhe mbushjen e xhepave, organizata kriminale VMRO menjëherë do të nisë me përgatitjen e zgjedhjeve.”, - deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrijeviq nga LSDM.
 
Mickoski: Këtë vit s’do të kemi zgjedhje
 
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se zgjedhje nuk do të ketë, të paktën jo këtë vit.
 
“Qëndrimi im është se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje. Ky vit është vit reformues dhe vit i konsolidimit. Unë do të doja të kishim zgjedhje të rregullta, të cilat do të ndodhin së shpejti në pranverë të vitit 2028. Nëse viti 2027 është opsion? Ju e dini se VMRO – DPMNE është gjithmonë e përgatitur të shkojë në zgjedhje dhe të fitojë, por ajo që ne po bëjmë dhe që mban fokusin tonë është të realizojmë reforma dhe të rrisim aktivitetin ekonomik, me ç’rast do të rrisim edhe standardin e qytetarëve.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Limani: Sa më shpejt, aq më mirë për vendin
 
Por, ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, konsideron se zgjedhjet do të duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur për të mirën e vendit.
 
“Sa më të shpejta të jenë ato, aq më mirë do të jetë për vendin tonë, për zhvillimin ekonomik dhe të njëjtën kohë për rifreskimin e radhëve si në kuadër të VLEN-it, ashtu edhe në kuadër të çdo subjekti, e strukture politike.”, - u shpreh ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
Kryeministri edhe më herët është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme, por në deklarimin e tij të fundit ka thënë se mund të ketë zgjedhje së shpejti. Kjo është parë si pjesë e diskursit të tij politik në përballje me opozitën, por jo edhe një vendim formal.
 
MERAL ISMAILI