Maqedoni

30 vjet rrugëtim drejt BE-së, Sali: Kaluam sfida, por mbetemi në këtë strategji shtetërore

06.05.2026 16:45

Në tri dekada në emër të integrimit, vendi ynë ka kaluar nëpër shumë sfida...

Në tri dekada në emër të integrimit, vendi ynë ka kaluar nëpër shumë sfida, duke nënshkruar vendime të vështira, duke implementuar reforma komplekse, pa u anashkaluar edhe kushtëzimet politike, tha zëvendëskryeministri Bekim Sali në konferencën mbi 30-vjetorin e rrugëtimit evropian.
 
Shton se edhe përkundër sfidave dalja në këtë politikë të madhe shtetërore, RMV-ja është përcaktuar që t’ i realizojë reformat që kërkohen nga Agjenda Evropiane dhe Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, si: sundimi i ligjit, zhvillim ekonomik dhe tranzicion digjital. Në anën tjetër, Sali qëndron në bindjen se zgjerimi nuk është vetëm politikë, por edhe strategji për siguri më të madhe.
 
“Ambiciet tona janë anëtarësimi i plotë, asgjë më pak. Ne iu kemi qasur kësaj strategjie me seriozitet, përgjegjësi dhe përcaktim, sepse ne besojmë se Maqedonia e Veriut i takon Bashkimit Evropian, politikisht, ekonomikisht dhe gjeografikisht, dhe se BE-ja është më e fuqishme, më e plotë dhe më e besueshme me Ballkanin Perëndimor brenda. Më lejoni të konkludoj me mesazh të shkurt, por esencial. rruga jonë evropiane është e pakthyeshme, angazhimi ynë është i fuqishëm dhe fokusi ynë është në rezultate, sepse Evropa nuk është vetëm e ardhmja jonë, por ajo çka realizojmë sot.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
 
Rokas: Duhet unitet politik që çon në negociata me BE-në
 
Eurombasadori Mihalis Rokas, me këtë rast theksoi unitetin për t’i tejkaluar pengesat në këto aspirata. Sipas tij, edhe përkundër dëshpërimeve, integrimi i duhet vendit për shkak të mbështetjes së madhe tek popullata, e në veçanti për të rinjtë. Siguroi mbështetjen e mëtutjeshme të Brukselit. 
 
“Jemi shumë më afër nga sa mendojmë, por ajo në të cilën unë besoj është se në këtë moment mungon pak pragmatizmi dhe dëshira për bashkim në të gjithë spektrin politik për të bërë hapat përfundimtarë dhe vendimtarë përpara… BE-ja duhet t’u përgjigjet sfidave, dhe, po o bën, dhe, po, për zgjerimin e BE-së, sepse s’ka dyshim se për ta mbajtur  prosperitetin, garën dhe sigurinë, nuk duhet  lënë vrima të zeza në kontinentin evropian.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas. 
 
Tegovski: Besimi në integrim është i brishtë, ta rikthejmë
 
Ish-diplomati Tegovski shtron nevojën për përgjegjësi të përbashkët, në mënyrë që vendi t’i bashkohet familjes evropiane. 
 
“Si dikush që ka pas nderin të jetë ambasadori i parë në BE, më kujtohet premtimi dhe optimizmi që na çoi përpara dhe besuam se e ardhmja evropiane është e arritshme. Sot ky besim është i brishtë, por jo i humbur, dhe, përgjegjësia jonë e përbashkët është që ta rikthejmë.”, - u shpreh kryetari i Klubit Diplomatik, Jovan Tegovski.
 
Politika dhe shoqëria duhet ta rrisin energjinë, me qëllim që të përshpejtohet integrimi, një energji që do të ngjasonte me atë të viteve të pas 2001-shit, shtuan të pranishmit në këtë konferencë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU