ShBA-ja dhe Irani afër marrëveshjes, Tramp: Lufta do të përfundojë shpejt

07.05.2026 12:58

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump...

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se lufta me Iranin “do të mbarojë shpejt”, ndërsa Uashingtoni shton përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Teheranin që mund të ulë tensionet në konflikt.

Deklaratat e Trampit vijnë ndërsa intensifikohen raportet se Shtëpia e Bardhë beson se është afër një marrëveshjeje me Teheranin.

Sipas Axios, të dyja palët po shqyrtojnë një memorandum mirëkuptimi njëfaqësh që mund të çojë në përfundimin e luftës.

Publikimi, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe burime të tjera me njohuri për negociatat, thotë se marrëveshja do të përfshijë: angazhimin e Teheranit për një moratorium mbi pasurimin e uraniumit; heqjen e sanksioneve të ShBA-së kundër Iranit; lehtësimin e kufizimeve për transitin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trampi u shfaq i bindur se një marrëveshje përfundimisht do të arrihej edhe nëse Teherani nuk i pranonte menjëherë kushtet.

“Edhe nëse nuk bien dakord tani, do të përfundojnë duke rënë dakord. Duke iu drejtuar luftëtarëve të UFC-së në Zyrën Ovale, Trampi tha se qëllimi i ShBA-së është të parandalojë çdo aftësi bërthamore nga Teherani. “Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore.”, theksoi ai.

“Nëse kjo do të ndodhte, e gjithë bota do të mbahej peng. Ky është mesazhi im i vetëm.”, tha Trampi.