ShBA vendos kushte ndaj Iranit, Tramp kërcënon me sulme, nëse Irani nuk i pranon
Përfaqësuesit iranianë e vlerësuan propozimin amerikan si “listë dëshirash”...

“Nëse Irani nuk i pranon kushtet e Shteteve të Bashkuara, situata në Lindjen e Mesme do të përshkallëzohet.”, deklaroi presidenti amerikan Donald Tramp, duke paralajmëruar se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë hapa radikale, nëse nuk arrihet marrëveshje me Teheranin.
Megjithatë Trampi tha se ShBA-ja dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit, por theksoi se gjithçka varet nga pranimi i kushteve amerikane nga ana e autoriteteve iraniane.
Ai bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë zhvilluar “bisedime shumë të mira” dhe ritheksoi se Uashingtoni nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që Irani të posedojë armë bërthamore.
“Patëm bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur të arrijmë marrëveshje. Ata e duan me dëshpërim marrëveshjen, por Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Duhet të marrim atë që duhet të marrim. Në të kundërtën, do të shkojmë një hap më tej.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Përfaqësuesit iranianë e vlerësuan propozimin amerikan si “listë dëshirash” dhe paralajmëruan një “përgjigje të ashpër” nëse ShBA-ja sulmon dhe nuk i pranon kushtet e tyre.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta pas rregullave të reja iraniane për Ngushticën e Hormuzit, ndërsa forcat amerikane kanë ndaluar një tanker me flamur iranian në Gjirin e Omanit.
Franca njoftoi se aeroplanmbajtësja Sharl dë Gol lëviz drejt Detit të Kuq si pjesë e përgatitjeve për një mision të mundshëm për mbrojtjen e sigurisë detare.
“Irani kërkon lehtësim të sanksioneve nga ShBA-ja në këmbim të hapave lidhur me programin e tij bërthamor. Por, nuk bëhet fjalë që të hiqet qoftë edhe sanksioni më i vogël për sa kohë që Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noel Barrot.
Tensionet vazhdojnë edhe në Liban. Izraeli njoftoi se për herë të parë që nga armëpushimi ka kryer një sulm në Bejrut ndaj një komandanti të Hezbollahut.
“Mbajmë kontakt të vazhdueshëm me ShBA-në. Kemi koordinim të plotë dhe nuk ka surpriza. Ndajmë objektiva të përbashkëta, ndërsa Izraeli është i përgatitur për çdo skenar. Qëllimi më i rëndësishëm është të largohet materiali i pasuruar nga Irani dhe të çmontohen kapacitetet për pasurim.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, liderët e vendeve të Azisë Juglindore mbërrijnë në Cebu të Filipineve për samitin e 48-të të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, ku në fokus janë siguria energjetike dhe ushqimore në kushtet e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Kriza aktuale në Lindjen e Mesme ka pasoja të gjera, përfshirë ndërprerjen e rrjedhave energjetike, rrugëve tregtare dhe furnizimit me ushqime. Zhvillimet jashtë rajonit tonë kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të thellë mbi Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore.”, - u shpreh ministrja e Jashtme e Filipineve, Teresa Lazaro.
Kriza ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekonomitë e Azisë Juglindore, por pasojat e luftës tashmë ndjehen në të gjithë globin, për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, nëpërmjet së cilës kalon 20% e naftës botërore. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
