Ndryshimet kushtetuese, Mucunski: Për momentin s’lëvizim, mungon dialogu me Sofjen

07.05.2026 15:23

Vendi ynë nuk është gati për ndryshime kushtetuese...

Vendi ynë nuk është gati për ndryshime kushtetuese në këtë kontekst, në këtë moment kur mungon besimi dhe kredibiliteti ndaj nesh. Për këtë arsye, Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Ishte ky qëndrimi i ministrit të Jashtëm, Mucunski, duke u përgjigjur lidhur me marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë. Sërish fajëson fqinjin lindor për mungesë të vullnetit politik në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

“Ajo që mund t’ju them është se ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm për dialog dhe jemi të gatshëm edhe tani. Mungoi vullneti për një dialog të tillë nga ana e Bullgarisë fqinje me Qeverinë e kaluar. Shpresoj që në Sofje të ketë vetëdije se perspektiva evropiane për vendin tonë është e rëndësishme për të gjithë rajonin. Edhe nëse nuk ka një vetëdije të tillë dhe nëse një vetëdije e tillë nuk zhvillohet, kjo nuk do të thotë se po mendojmë për ndonjë alternativë, por do të vazhdojmë në rrugën e reformave, do të vazhdojmë në rrugën e pajtueshmërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe do të vazhdojmë të ndajmë ato vlera evropiane në të cilat besojnë shumica e qytetarëve tanë. Por, nëse pyetja është nëse jemi të gatshëm për ndryshime kushtetuese, në këtë kontekst dhe në këtë situatë, ne nuk jemi të gatshëm. Dhe le të mos ketë dilema rreth kësaj çështjeje.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Mucunski këtë koment e dha në konferencën për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

Demorkacia e vendit, Berset: Këshilli i Evropës ju mbështet në mbindërtimin e saj

Ky i fundit theksoi se organizata evropiane që përfaqëson ai, gjithmonë ka qenë në anën e RMV-së, si për zhvillim demokratik, ashtu edhe në përgatitjen e marrëveshjeve që kanë mbindërtuar sistemin demokratik të vendit.

Tani kur kemi trazira në Evropë, duhet një sistem i fuqishëm mbrojtës, por kjo vjen me institucione të fuqishme dhe bashkëpunim mes tyre, shtoi Berset.

“Këshilli i Evropës gjithmonë ka qenë në anën e Maqedonisë së Veriut, gjithmonë ka bashkëpunuar me RMV-në në implementimin e e demokracisë, shembull, në përgatitjen e marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe në dokumente të tjera dhe më vjen mirë që jam këtu t’i shoh sfidat me të cilat ballafaqohemi në këtë moment, duke e ditur se RMV-ja luan rol të madh në stabilitetin dhe rezistencën demokratike në rajon dhe kontinent.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset.

Duke folur për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari, Berset tha se atje ekzistojnë “një sërë vendimesh që nuk janë zbatuar, por se po punohet në të”, duke shtuar se është shënuar njëfarë progresi gjatë 12 muajve të fundit. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)