Sulme mbi qytetet ukrainase, Zelenski: Rusia e shkeli armëpushimin e vendosur

07.05.2026 15:52

Pavarësisht armëpushimit të shpallur nga Rusia për “Ditën e Fitores”...

Pavarësisht armëpushimit të shpallur nga Rusia për “Ditën e Fitores”, sulmet ruse kanë vazhduar në disa qytete të Ukrainës. Në Dnipro, sulmet me dronë shkaktuan zjarre dhe dëme në zona banimi, duke plagosur disa civilë. U shënjestrua edhe ndërtesa e Operës Kombëtare.

“Për fat të mirë, askush nuk u lëndua. Të gjithë njerëzit ishin në strehimore ose në vende të sigurta jashtë teatrit, kështu që kemi të bëjmë vetëm me një çështje teknike.”, - deklaroi drejtori i Operës Kombëtare, Dnipro, Rostislav Karyndeiv.

Sulme dhe incidente janë raportuar edhe në Harkiv dhe në disa rajone të tjera të Ukrainës, ku janë regjistruar goditje, dëme materiale dhe ndërhyrje të mbrojtjes ajrore për të rrëzuar dronët e lëshuar gjatë natës.

“Ka pasur një shpërthim pranë një ndërtese banimi private. Kjo lagje është e dendur me shtëpi private. Deri tani kemi tetë të plagosur, përfshirë dy fëmijë; bëhet fjalë për një reagim akut stresi. Përveç kësaj, një burrë është shtruar në spital.”, - theksoi kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.

Ukraina e hodhi poshtë armëpushimin rus për “Ditën e Fitores”, pasi sipas Kievit, Moska e ka shkelur atë më shumë se 1.800 herë vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi.

“Rusia mori një propozim të qartë nga ne për armëpushim dhe diplomaci, por nëse ai njeri në Moskë, që nuk mund të jetojë pa luftë, nuk është i interesuar për asgjë tjetër përveç paradës, atëherë kjo është çështje tjetër.”, - u shpreh presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.

Moska paralajmëroi mundësi sulmi ndaj Kievit nëse prishen festimet e 9 Majit, duke akuzuar vendet perëndimore për bashkëfajësi.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të sigurojnë evakuim të menjëhershëm të personelit diplomatik dhe qytetarëve nga Kievi, duke pasur parasysh pashmangshmërinë e një kundërgoditjeje.”, - deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova.

Në ditët në vijim, negociatori ukrainas Rustem Umerov do të takohet në Miami me të dërguarin special amerikan Keit Kellog, në takimin e parë të nivelit të lartë pas disa javësh ndërprerjeje kontaktesh. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)