Maqedoni

LSDM: Mickoski po bllokon BE-në, VMRO: LSDM po përgatit tradhti kombëtare

07.05.2026 16:09

Përplasjet politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për procesin eurointegrues...

Përplasjet politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për procesin eurointegrues dhe raportet me Bullgarinë vazhdojnë të thellohen. Nga LSDM akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski se po e bllokon qëllimisht rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
 
“Mickoski po krijon me vetëdije konflikt me Bullgarinë për të pasur një justifikim të gatshëm se përse procesi eurointegrues ka ngecur. Në vend që të zbatojë reformat dhe të hapë derën drejt Evropës, ai preferon të mbrojë strukturat kriminale të VMRO-së nga kontrolli dhe drejtësia.”, theksojnë nga LSDM, nga ku shtojnë se Qeveria fillimisht kishte premtuar realizimin e reformave, ndërsa tani deklaron se nuk ekzistojnë kushte për ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, VMRO-DPMNE akuzon opozitën për gatishmëri për, siç thonë, “tradhti të re kombëtare”.
 
“Autoritetet bullgare e kanë bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i fundit për hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. LSDM dhe Filipçe janë të gatshëm për një tradhti të re kombëtare, pa mbrojtur interesat kombëtare dhe identitetin maqedonas.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga partia në pushtet thonë se Sofja vazhdon të kontestojë identitetin dhe gjuhën maqedonase, ndërsa opozitën e akuzojnë se vepron kundër interesave shtetërore.
 
ERSAN PAJAZITI