Maqedoni
Dita e Policisë, Toshkovski: Policia, shtyllë e sigurisë dhe rendit, Janev: Luftojmë krimin dhe korrupsionin
07.05.2026 16:26
Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme...

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme u shënua Dita e Policisë së Maqedonisë. Me këtë rast, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, theksoi se policia e vendit mbetet shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar se institucionet kanë kapacitet të përballen me vendosmëri ndaj krimit dhe korrupsionit.
Forca e shtetit shihet në forcën e institucioneve, kur ata funksionojnë, qytetarët kanë ndjenjën e sigurisë dhe rendit. Shteti s’do të ndalet përballë kriminalitetit, siguroi Toshkovski.
“Vitin e kaluar e përfunduam me ulje të kriminalitetit të përgjithshëm për më shumë se gjashtë për qind. Janë shkatërruar 16 grupe të organizuara kriminale, në të cilat vepronin 205 persona. Në pjesën e luftës kundër korrupsionit janë realizuar disa procedura të rëndësishme, përfshirë edhe raste të profilit të lartë, ndërsa janë shkatërruar edhe katër grupe kriminale. Veçanërisht është me rëndësi që kriminaliteti i përgjithshëm shënon rënie dhe është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit. Efikasiteti arrin në 67.2%, që po ashtu paraqet nivelin më të lartë në po këtë periudhë.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Edhe për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, policia mbetet garantuese e sigurisë dhe besimit të qytetarëve. Të jesh polic, do të thotë të shërbesh, të kesh mision dhe një punë që nuk mbaron me orarin e punës, theksoi Janev, duke theksuar se në luftim ndaj korrupsionit s’do të ketë tolerancë.
“Zhvillojmë luftë të vendosur, sistematike dhe pa kompromis kundër grupeve kriminale, në të gjitha fushat. Veprojmë në mënyrë sistematike ndaj strukturave të tyre, lidhjeve të tyre, logjistikës së tyre dhe kapitalit të tyre. Mesazhi është i qartë, askush nuk është mbi ligjin, pa selektivitet, pa privilegje dhe pa kompromis.”, - theksoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Në kuadër të ceremonisë u theksua se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me reformat, modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, me qëllim ndërtimin e një policie moderne, profesionale dhe efikase evropiane, e cila do të jetë shërbim i vërtetë për qytetarët dhe garantuese e sigurisë dhe rendit juridik.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
