Maqedoni

Kuvend, u miratua propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve

07.05.2026 16:43

Rregulla më të rrepta dhe procedurë transparente pritet të ketë gjatë përzgjedhjes...

Rregulla më të rrepta dhe procedurë transparente pritet të ketë gjatë përzgjedhjes së prokurorëve publikë. Kuvendi miratoi propozim-ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë si pjesë e pakos reformuese. Zëvendësministri i Drejtësisë në ekspozenë e tij tha se me ligjin rregullohen të gjitha procedurat brenda këshillit.
 
“Rregullohet procedura disiplinore, procedura për zgjedhjen e prokurorëve publikë, rritet transparenca e punës së këshillit. Të gjitha vendimet do të duhet të kenë sqarim konkret. Rregullohet procedura pas ankesës dhe padisë gjatë ekzistimit të kontestit administrativ.”, - deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban.
 
Deputetja opozitare e PRSD-së, Sonja Mirakovska, u ankua se ligji nuk është reformues, pasi që nuk janë pranuar dy amendamentet e tyre për parandalimin e mbivotimit në këshill të shumicës së anëtarëve nga radhët e prokurorëve mbi anëtarët e përzgjedhur nga Kuvendi, si dhe kërkesën për një raport më të qartë të punës së këshillit.
 
“Kjo nënkupton edhe një vërtetim se nuk ka bisedime. Atë që keni vendosur se duhet ta bëni, ashtu edhe do të jetë. Ky ligj nuk është reformues dhe nuk i përgjigjet detyrës që kemi nga ana e BE-së.”, - theksoi Sonja Mirakovska nga PRSD.
 
Nga pushteti thanë se debati ka ekzistuar dhe se opozita dëshiron që ligji të ndeshet me Kushtetutën.
 
“Njëri amendament është kundërkushtetues. Dhe ky nuk u është pranuar dhe thoni se ligji nuk është reformues. Ju me këmbëngulje doni që në ligj të fusni element që do të pengojë funksionimin e ligjit.”, - u shpreh Malisha Stankoviq nga Koalicioni “Maqedonia Jote”.
 
Propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë është pjesë e reformave në drejtësi i rekomanduar nga Bashkimi Evropian, me qëllim rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së prokurorëve.
 
MERAL ISMAILI